Haxhiu: Reagimi i Avokatit të Popullit për Listën Serbe, i çuditshëm dhe i padrejtë

Haxhiu: Reagimi i Avokatit të Popullit për Listën Serbe, i çuditshëm dhe i padrejtë

Nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka reaguar ndaj deklaratës së Avokatit të Popullit për moscertifikimin e Listës Serbe nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, duke e cilësuar atë si të çuditshëm dhe të padrejtë.

Sipas Haxhiut, është e papranueshme që një subjekt politik si Lista Serbe, e cila sipas saj ka pasur lidhje me individë të përfshirë në aktet kriminale dhe nuk e njeh rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, të gjejë mbështetje kaq lehtësisht nga Avokati i Popullit.

Ajo përmendi rastin e nënkryetarit të mëparshëm të Listës Serbe, kryekriminelin Radojçiq, si dhe heshtjen e këtij institucioni ndaj aktit terrorist në Banjskë dhe respektimin e viktimave të terrorizmit nga ana e Listës Serbe.

Haxhiu gjithashtu kritikoi Avokatin e Popullit për mungesën e shqetësimit mbi vështirësitë që po hasin qytetarët e mërgatës gjatë procesit të votimit, duke theksuar se institucionet duhet të mbrojnë standarde të njëjta për të gjithë dhe të jenë të paanshme.

“Vendimi i KQZ-së nuk është kundër subjekteve serbe apo qytetarëve serb, pasi disa subjekte të tjera serbe janë certifikuar normalisht. Arsyet për moscertifikimin e Listës Serbe janë të qarta dhe të justifikuara. Ky lloj selektiviteti bie ndesh me parimet e transparencës dhe paanshmërisë që Avokati i Popullit duhet t’i mbrojë”, tha Haxhiu.

Related Articles