Self kërkon nga Serbia që ta njohë sovranitetin e Kosovës

Self kërkon nga Serbia që ta njohë sovranitetin e Kosovës

Kryetari republikan i Nënkomisionit për Evropën në Dhomën e Përfaqësuesve, Keith Self, ka vlerësuar se Ballkani Perëndimor është rajoni më i paqëndrueshëm në Evropë pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, duke theksuar se mungesa e normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë rrit tensionet rajonale.

“Edhe pse konflikti i hapur është qetësuar që nga shpërbërja e Jugosllavisë në vitet 1990, përçarjet etnike, ndryshimet kufitare dhe mosbesimi politik vazhdojnë të ndikojnë në rajon. Marrëdhënia e pazgjidhur e Serbisë me Kosovën është një nga nxitësit kryesorë të paqëndrueshmërisë, duke krijuar një vijë strategjike që Rusia mund ta shfrytëzojë për të minuar aftësinë e BE-së dhe NATO-s për të fuqizuar vendet e Ballkanit,” tha Self.

Ai shtoi se Marrëveshja e Ohrit e vitit 2023, që synonte uljen e tensioneve dhe ringjalljen e marrëveshjeve të kaluara, ka ngecur për shkak të krizës zgjedhore në Kosovë dhe dështimit për të formuar një qeveri pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Self shprehu shpresën se pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, nëse formohet qeveria e re, Serbia do të njohë sovranitetin e Kosovës.

Self gjithashtu ngriti shqetësime për frikën e Kosovës për të themeluar Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe shkeljet e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Ai vuri në dukje pasivizimin e adresave si një përpjekje për të minuar komunitetin shqiptar, ndërkohë që kundërshtarët e Amerikës po shfrytëzojnë këto dobësi për të shtuar paqëndrueshmërinë në rajon.

Përveç ndikimit rus, Self paralajmëroi edhe rrezikun e zgjeruar të ndikimit kinez në rajon, përmes stërvitjeve ushtarake, dërgimit të armëve dhe nënshkrimit të marrëveshjeve ekonomike që shfrytëzojnë korrupsionin lokal.

Ai e përshkroi Ballkanin Perëndimor si “shpesh të neglizhuar”, por theksoi se ekzistojnë ende mundësi për përmirësimin e stabilitetit, paqes dhe prosperitetit, duke nënvizuar rëndësinë e rolit të lidershipit amerikan.

Related Articles