Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka kritikuar ashpër qeverinë në detyrë të udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje, duke thënë se Kosova po përballet me mungesë të udhëheqjes përbashkuese.
Hamza ka akuzuar qeverinë e VV-së se ka kapur shtetin dhe se nuk ka institucion ku të mos kenë tentuar të ushtrojnë kontroll.
“Këta jo vetëm që e kanë kapur shtetin, po e kanë plasë. Nuk ka institucion ku nuk ka këqyr me kap shtetin, nëse nuk e kanë kap shtetin e kanë penguar në 100 mënyra për mos me punu, çendim i pavarësisë të institucioneve edhe cenim i ndarjeve të pushtetit, ekzekutivi legjislativi gjitha organet tjera që punojnë si pavarur brenda sistemit, dhe përkeqësim i raporteve ndërkombëtare. Na sot mundemi ti quajmë masa, po kem bllokadë nga vendet e BE qe dy vjet, miliarda euro janë të pashfrytëzuara” ka deklaruar Hamza në Debat Plus.
Ai ka shtuar se Kosova ka nevojë për një kryeministër që të bashkojë vendin dhe të garantojë funksionimin normal të institucioneve.
Hamza ka thënë se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, po shihet se tashmë është në panik.
Ai ka theksuar se administrata dhe institucionet nuk mund të ndahet sipas bindjeve politike, duke potencuar luralizmin në Kosovë.
“[Sipas Kurtit] ende ka në administratë njerëz të PDK-së, në drejtësi dhe në institucione të tjera, madje edhe në media . Kjo tregon se njerëzit kanë të drejtë të ruajnë bindjet e tyre politike dhe të votojnë sipas tyre…Kurrë në karrierën time nuk ka lëvizur askush prej pozitës për shkak të bindjeve politike.”
Hamza u shpreh gjithashtu se mënyra e vendimmarrjes së tij është e konsultuar dhe analizuese.
“Ai le te harron me kontestu vendimmarrjen time. Po, vendimet i marrë të konsultuara të analizuara në procedurë, nuk jam autoritar, nuk jam autokrat por jam vendimmarrës dhe kjo është dëshmuar gjatë gjithë karrierës sime politike. Kam punuar me kryeministra të ndryshëm me kryetar të ndryshëm e respektojë vijën institucionale… Kur e dha fjalën edhe e mbaj fjalën. Bedri Hamza sillet si kryetar edhe në përputhje me rolin e tij si kryetar. Sami Lushtaku është kryetar i PDK dega Skenderaj, kaq është edhe anëtar i këshillit drejtues”, ka deklaruar Hamza në Debat Plus.
Duke komentuar deklarimet e Kurtit, Hamza tha me ironi se “po shihet se është në panik, sepse po i sheh trendet dhe kur fillon me zbrit shkallëve, atëherë mundet që me t’u përshpejtu pak edhe zbritja”.
