Më 28 nëntor, në ambientet e Ambasades së Republikës së Kosovës në Stokholm, u mbajt një mbrëmje e veçantë artistike nën titullin “Tinguj dhe Ngjyra”, e cila ndërthuri në vete muzikën dhe artin pamor në nderim të jetës dhe veprës së Shën Nënë Terezës, me rastin e 115-vjetorit të lindjes së saj, shkruan Gazeta Enigma.
Aktiviteti u zhvillua në një atmosferë solemne, duke u shoqëruar edhe me shënimin e Ditës së Flamurit Kombëtar.
Artistet Arzije Rifati, Emire Rifati dhe piktorja Jalldeze Mustafa, sollën para publikut një program të pasur artistik. Fluatistet interpretuan vepra nga kompozitorë shqiptarë, të përzgjedhura për t’u harmonizuar natyrshëm me konceptin e ekspozitës.
Një nga artistet që performoi në këtë mbrëmje, Arzije Rifati për Gazetën Enigma rrëfeu emocionet e asaj dite.
E kënaqur me epilogun e projektit, Rifati theksoi se “Projekti u realizua pikërisht ashtu siç e kishim konceptuar, si një ndërthurje mes muzikës dhe artit pamor, që nderon figurën e Shën Nënë Terezës dhe njëkohësisht pasqyron krenarinë tonë kombëtare”.
“Pritshmëritë tona ishin që kjo mbrëmje të krijonte një hapësirë reflektuese, të ngrohtë, inspiruese dhe publiku reagoi jashtëzakonisht mirë, me një vëmendje dhe emocion që e tejkaloi edhe parashikimin tonë fillestar”, shtoi ajo,.
Ajo theksoi po ashtu se pjesëmarrja e artistëve, bashkëpunimi dhe mbështetja e Ambasadës së Kosovës në Stokholm si dhe mbështetja e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, e ngritën projektin në një nivel të veçantë.
“Jam e lumtur që arritëm të sjellim një përvojë të denjë për figurën e Shën Nënë Terezës dhe për Ditën e Flamurit duke krijuar një moment ku arti, tradita dhe vlerat humane u bashkuan natyrshëm”.
Sipas saj “projekti konfirmoi edhe një herë se kultura shqiptare ka shumë për t’i ofruar publikut ndërkombëtar”, teksa shton se janë të inkurajuara për të vazhduar me iniciativa të tilla që promovojnë identitetin shqipëtar përmes artit.
Si rrjedhi eventi?
Në prag të hapjes së ekspozitës së dedikuar 115-vjetorit të lindjes së Shën Nënë Terezës në Ambasadën e Kosovës në Stokholm, Ambasadorja Shkendije Geci-Sherifi, së bashku me piktoren Jalldeze Mustafa, i dorëzuan Nunciaturës Apostolike të Vatikanit në Stokholm një pikturë nga koleksioni i artistes.
Me këtë rast ambasadorja Geci nënvizoi trashëgiminë e çmuar shqiptare të Shën Nënë Terezës dhe rikujtoi rolin domethënës të Kishës së Letnicës në Kosovë, ku e reja Gonxhe Bojaxhiu përjetoi thirrjen e saj të parë shpirtërore – moment që do të shënonte nisjen e misionit të saj humanitar, sot të nderuar në mbarë botën.
Ajo theksoi se dorëzimi i kësaj pikture pikërisht në Ditën e Flamurit Kombëtar është një simbol i lidhjes së fortë midis figurës së Shën Nënë Terezës dhe identitetit tonë kombëtar, një trashëgimi për të cilën jemi thellësisht krenarë.
Në emër të Nunciaturës, Rev. Fr. Domenico Votolo shprehu mirënjohjen e tij të sinqertë për këtë akt të bukur simbolik dhe theksoi se Shën Nënë Tereza është nënë e mbarë njerëzimit – një figurë që frymëzon paqe, mëshirë dhe solidaritet kudo në botë.
Projekti “Tinguj dhe Ngjyra” u përkrah nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit si dhe nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Stokholm, duke shënuar kështu një tjetër hap të rëndësishëm në promovimin e kulturës dhe artit shqiptar.
