Zbulohet prani e aflatoksinës, AKU kthen 51 ton misër të ardhur nga Serbia

Zbulohet prani e aflatoksinës, AKU kthen 51 ton misër të ardhur nga Serbia

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka konstatuar prani të aflatoksinës B1 në dy ngarkesa misri, me një sasi totale prej 51 tonësh, të importuara nga Serbia dhe të destinuara për ushqim kafshësh.

Sipas njoftimit zyrtar, gjatë kontrolleve të kryera nga inspektorët e AKU-së dhe analizave laboratorike të mostrav të marra, është verifikuar se të dyja ngarkesat përmbanin nivele të ndaluara të aflatoksinës B1, një substancë e rrezikshme për shëndetin e kafshëve dhe zinxhirin ushqimor.

Si rezultat, njëra nga ngarkesat është kthyer menjëherë në vendin e origjinës, ndërsa ngarkesa e dytë është bllokuar dhe do t’i nënshtrohet procesit të asgjësimit.

“AKU garanton opinionin publik se çdo produkt ushqimor i importuar i nënshtrohet kontrolleve rigoroze për të garantuar produkte të sigurta ushqimore në mbrojtje të shëndetit të konsumatorëve”, thuhet në deklaratën e institucionit.

Autoriteti thekson se monitorimi i produkteve ushqimore, sidomos atyre të importit, do të vijojë me intensitet për të parandaluar çdo rrezik potencial për konsumatorët.

Related Articles