Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka njoftuar se sot ka pritur sot në takim ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guérot.
LDK përmes një njoftimi tha se gjatë takimit u diskutua mbi zhvillimet e fundit politike në vend dhe qëndrimet e Lidhjes Demokratike të Kosovës karshi këtyre proceseve, me theks të veçantë në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Ai tha po ashtu se LDK është në fazën përfundimtare të përgatitjeve për zgjedhjet nacionale, duke finalizuar listën për deputetë me “figura të dëshmuara profesionale, të reja e integruese, të cilat vijnë me vizion të qartë për zhvillimin ekonomik, forcimin e shtetit të së drejtës dhe modernizimin e vendit”.
Abdixhiku potencoi se LDK “po paraqet para qytetarëve një ekip të përgjegjshëm dhe të përkushtuar, që reflekton seriozitet, punë dhe përvojë; pra një listë që synon t’i japë vendit institucione stabile dhe një qeverisje zhvillimore, në shërbim të qytetarëve”.
Ai nënvizoi se mbështetja franceze mbetet thelbësore për avancimin e aspiratave të Kosovës drejt zhvillimit, stabilitetit dhe integrimit të plotë europian.
