Shiti armën me të cilën u vra Liridona Ademaj, Dodaj kërkon t’i anulohet dënimi me burgim

Shiti armën me të cilën u vra Liridona Ademaj, Dodaj kërkon t’i anulohet dënimi me burgim

Të mërkurën është mbajtur seancë në Apel për të akuzuarin Tom Dodaj, për veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materialeve plasëse”.

Aktakuza e Prokurorisë Themelore në Prishtinë e ngarkon Tom Dodajn se më 29 nëntor 2023, rreth orës 14:00, në vendin e tij të punës në Novosellë të Epërme- Komuna e Gjakovës, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, e në kundërshtim me Ligjin në fuqi për armë dhe materiale plasëse, ia ka shitur një armë zjarri- pistoletë të akuzuarve Murseli dhe Plava në shumën prej 280 euro, e cila është përdorur në kryerjen e vrasjes së tani të ndjerës Liridona, vrasje e kryer në të njëjtën ditë në intervalin kohor mes orës 20:11 dhe 20:18 në Bërnicë, në rrugën “Dalip Alshiqi”, Komuna e Prishtinës.

Dodaj është dënuar me 5 vjet burgim, nga shkalla e parë në janar të këtij viti.

Në këtë seancë gjyqësore është bërë elaborimi i ankesës së avokatit Tom Dodajt, Agron Kuçi.

Kuçi kërkoi që Todajt t’i zbutet dënimi, të kthehet rasti në rigjykim ose dënimi me burgim t’i kthehet në gjobë.

Këtë e mbështeti edhe i akuzuari Tom Dodaj.

Ai tha se ndjen keqardhje për vrasjen e së ndjerës Liridonës.

Por, avokati i palës së dëmtuar, Leutrim Syla kërkoi nga Apeli që të mbetet në fuqi, aktgjykimi i shkallës së parë, dënimi me 5 vjet burgim.

Tom Dodaj, në seancën fillestare e pranoi fajësinë, për këtë gjykata e dënoi me 5 vjet burgim, nga 8 vjet sa është paraparë me ligj. 

Related Articles