Kushtet e rënda të motit gjatë 72 orëve të fundit në Gaza kanë shkaktuar vdekjen e 14 personave, përfshirë tre fëmijë.
Gjatë dy viteve të fundit, shumë palestinezë janë detyruar të zhvendosen në tenda dhe strehimore të përkohshme për shkak të luftës shkatërruese që la shumë pjesë të enklavës në rrënoja.
Tendat janë përmbytur me ujë, dhe palestinezët janë detyruar të ecin “nëpër kanalizime, baltë dhe rrënoja pa strehim të duhur”, tha organizata ndihmëse Oxfam në një deklaratë të shtunën, duke shtuar se kushtet e vështira janë “një pasojë direkte e pengesave sistematike për ndihma”, tha për CNN drejtori i përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, Munir Al-Boursh.
Palestinezët kërkojnë ndihmë përballë motit të ftohtë dhe shiut që ka shkatërruar pronat e tyre.
Tendat, strehimoret e përkohshme dhe edhe ndërtesat, të dobësuara nga bombardimet izraelite gjatë luftës, janë shembur ndërsa familjet ndodheshin brenda, sipas autoriteteve dhe banorëve të Gazës. Një foshnje tetëmuajshe e quajtur Rahaf vdiq nga hipotermia, tha familja e saj për CNN.
Më shumë se 27.000 tenda janë përmbytur dhe janë rrëmbyer nga uji, tha zyra mediatike e qeverisë së Hamasit. Ky “çrregullim humanitar kompleks” ka prekur të paktën 250.000 persona, thuhet në një deklaratë të zyrës.
Izraeli dhe Hamasi arritën një armëpushim në tetor, duke lejuar lirimin e të gjithë të mbijetuarve izraelitë të marrë peng dhe duke ndalur luftën dyvjeçare. Izraeli lejoi hyrjen e ndihmave në Gaza për të zbatuar fazën e parë të marrëveshjes.
Por Oxfam tha se autoritetet izraelite “vazhdojnë të bllokojnë hyrjen e materialeve bazë për strehim, të karburanteve dhe infrastrukturës së ujit”, duke lënë njerëzit të ekspozuar ndaj “dëmtimeve krejtësisht të parandalueshme”.
“Kur qasja refuzohet, stuhi bëhen vdekjeprurëse. Kjo vuajtje është krijuar nga politika, jo nga moti,” tha organizata në një deklaratë.
