Policia ka njoftuar se një vajzë rreth 12 vjeçe ka vdekur në rrethana ende të panjohura në Spitalin Rajonal të Prizrenit, raporton Gazeta Enigma.
Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prizrenit, ka njoftuar se të enjten rreth orës 16:00, Stacioni Policor ka pranuar informatën për vdekjen e një pacienteje në Qendrën Emergjente – Repartin e Pediatrisë. Menjëherë pas njoftimit, patrullat policore kanë dalë në vendin e ngjarjes.
“Me datën 18.12.2025, rreth orës 16:00, Stacioni Policor Prizren ka pranuar informatën se një paciente kishte humbur jetën në rrethana ende të panjohura. Patrullat policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, në Qendrën Emergjente – Repartin e Pediatrisë të Spitalit Rajonal në Prizren. Nga mjeku përgjegjës i repartit, në cilësinë e dëshmitarit, është marrë konfirmimi se viktima, gjinia femërore, rreth 12 vjeçe, ishte pranuar për trajtim më 17.12.2025, rreth orës 23:50, ndërsa më 18.12.2025, rreth orës 15:55, kishte ndërruar jetë”.
“Në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitë kompetente të Stacionit Policor Prizren, si dhe Njësia e Hetimeve Rajonale. Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori kujdestar i shtetit, i cili ka urdhëruar që rasti të inicohet si hetim i vdekjes dhe trupi i pajetë të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore për kryerjen e obduksionit. Rasti, për hetime të mëtejme, i është kaluar Hetimeve”, tha Bytyqi. / Gazeta Enigma.
