AGK-ja ka mirëpritur fitoren e gazetares Blerta Foniqi pas degradimit nga menaxhmenti i RTK-së, raporton Gazeta “Enigma”.
AGK përmes një postimi në Facebook kanë shkruar se për ta “është e papranueshme ndërhyrja e vazhdueshme politike e Qeverisë së Kosovës nëpërmjet partisë politike, Vetëvendosje në pavarësinë editoriale të Transmetuesit Publik, RTK”.
“Inspektorati i Punës e ka miratuar ankesën e gazetares Blerta Foniqi Kabashi, duke vendosur në favor të saj dhe kundër vendimit të menaxhmentit që e degradonte atë nga pozita e redaktores të edicionit të Lajmeve Qendrore në redaktore të programit. Vendimi ishte marrë nga U.D i kryeredaktorit, Blerim Haxhija, për të cilin Inspektorati konstaton se nuk kishte mandat për të marrë një vendim të tillë pasi që atij i kishte skaduar mandati më 15 shtator 2025”, kanë shkruar ata.
“Foniqi Kabashit i ishte shqiptuar masë disiplinore “vërejtje” për shkak të punës si redaktore në Edicionin Qendror. RTK është urdhëruar që në afat prej tri ditësh ta kthejë Foniqin në postin e përshkruar me kontratë. AGK-ja e mirëpret këtë vendim të Inspektoratit, i cili vërteton presionin e Menaxhmentit ndaj gazetarëve dhe redaktorëve që e kryejnë punën e tyre në mënyrë të pavarur dhe profesionale”.
