OSBE: Bashkëpunimi ndër-komunal në Kosovë nuk zbatohet si duhet

OSBE: Bashkëpunimi ndër-komunal në Kosovë nuk zbatohet si duhet

Raporti më i ri i Misionit të OSBE-së në Kosovë vlerëson se bashkëpunimi ndër-komunal (BNK), ndonëse mbështetet nga një kornizë ligjore e harmonizuar me standardet e Bashkimit Evropian, Këshillit të Evropës dhe OECD-së, vazhdon të mbetet i kufizuar dhe i pashfrytëzuar mjaftueshëm në praktikë.

Bashkëpunimi ndër-komunal nënkupton marrëveshje formale ose joformale ndërmjet dy ose më shumë komunave për arritjen e qëllimeve të përbashkëta. Kur zbatohet në mënyrë efektive, ai mund të ndikojë pozitivisht në përmirësimin e ofrimit të shërbimeve publike, tërheqjen e fondeve dhe forcimin e lidhjeve ndërmjet komuniteteve.

“Pavarësisht këtyre përfitimeve, bashkëpunimi ndër-komunal është shpesh joformal, i pastrukturuar ose nuk ndodh fare. Si rezultat, humbasin mundësitë për shërbime më të fuqishme, shpenzime publike më efikase dhe bashkëpunim më të avancuar mes komunave,” ka thënë ambasadori Gerard McGurk, Shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë.

Raporti përfshin edhe një sërë rekomandimesh për autoritetet përgjegjëse, përfshirë thjeshtimin dhe modernizimin e kornizës ligjore për të lehtësuar krijimin e marrëveshjeve ndër-komunale, krijimin e stimujve politikë dhe një fondi të posaçëm për BNK, si dhe forcimin e mbështetjes institucionale dhe kapaciteteve të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal.

Po ashtu, OSBE-ja rekomandon promovimin e bashkëpunimit ndër-komunal si një mjet për përfshirje gjithëpërfshirëse në ofrimin e shërbimeve sociale dhe zhvillimin e iniciativave komunitare.

Në përfundim, raporti thekson se përmes reformave dhe investimeve të qëndrueshme, bashkëpunimi ndër-komunal mund të shndërrohet nga një praktikë margjinale në një instrument kyç për përmirësimin e performancës komunale dhe forcimin e qeverisjes lokale në Kosovë.

Related Articles