Osmani për Dacin: Ishte personalitet i rrallë, i përhershëm qoftë kujtimi për të

Osmani për Dacin: Ishte personalitet i rrallë, i përhershëm qoftë kujtimi për të

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas lajmit për vdekjen e ish-Kryeparlamentarit të Kosovës, Nexhat Daci, raporton Gazeta “Enigma”.

Osmani përmes një postimi në profilin e saj në Facebook tha se Daci ishte “një personalitet i rrallë, i cili bashkoi dijen shkencore, përkushtimin akademik dhe angazhimin institucional, duke lënë gjurmë të pashlyeshme si Kryetar i Kuvendit, deputet, akademik dhe udhëheqës i institucioneve shkencore të vendit”.

Tugje ajo ka theksuar se Dacu u angazhua fuqishëm në shërbim të kauzës për liri dhe pavarësi.

“Në vitet më të rënda për popullin e Kosovës, veçanërisht gjatë viteve të nëntëdhjeta, Akademik Nexhat Daci u angazhua fuqishëm në shërbim të kauzës për liri dhe pavarësi, si bashkëpunëtor i afërt i Presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova. Me dije, maturi dhe vizion, ai dha një kontribut të çmuar në vendosjen e themeleve të forta të shtetit të Kosovës”, ka shkruar presidentja e vendit.

“Kontributi i tij shumëdimensional në ndërtimin e shtetit, në zhvillimin e arsimit të lartë dhe në avancimin e shkencës do të mbetet pjesë e rëndësishme e historisë sonë institucionale dhe intelektuale”.

Osmani ka shprehur ngushëllime për familjen Daci dhe të gjitha ata që e njohën dhe punuan me të.

“Në këto çaste të rënda, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen Daci, miqtë, bashkëpunëtorët dhe të gjithë ata që patën fatin ta njohin dhe të punojnë me të. I përhershëm qoftë kujtimi për Akademik Nexhat Dacin!”, ka shkruar Osmani. /Gazeta Enigma/

Related Articles