Në akademinë përkujtimore mori pjesë edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili e nderoi figurën dhe kontributin institucional të Nexhat Dacit.
Në fjalën e tij, Kurti tha se vdekja e profesorit Nexhat Daci ka bashkuar sot përfaqësuesit institucionalë në Kuvend, në një periudhë kalimtare për institucionin legjislativ, kur legjislatura e kaluar është shpërndarë dhe ajo e re ende nuk është konsoliduar.
“Sot, më 2 janar 2026, një rast mortor na ka bërë bashkë këtu në sallën e seancave plenare të Kuvendit të Kosovës, në një periudhë të ndërmjetme për institucionin legjislativ të Republikës sonë, teksa legjislatura e kaluar e Kuvendit është shpërndarë, ndërsa legjislatura e re ende nuk është nxjerrë dhe konsoliduar. Ky mort na bëri të bashkohemi këtu në Kuvendin e Republikës.
Dje, më 1 janar 2026, vdiq në moshën 81-vjeçare profesori Nexhat Daci, ish-kryetar i Kuvendit të Kosovës dhe ish-kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Përveçse themelues, ai ishte edhe kryetar i partisë Lidhja Demokratike e Dardanisë.
Sot paradite, shumë qytetarë kanë bërë homazhe në hollin e Kuvendit të Kosovës, ndërsa tani jemi mbledhur në këtë akademi përkujtimore. Vdekja e profesorit Daci na ka mbledhur në këtë sallë plenare, edhe për faktin se karriera e tij politike është e lidhur ngushtë me këtë vend dhe me këtë institucion.
Në dekadën e parë të periudhës pas çlirimit të Kosovës, Nexhat Daci kishte qenë deputet i zgjedhur i këtij Kuvendi ligjvënës, si dhe kryetar i tij për dy mandate, në vitet 2000–2004 dhe 2004–2006.
“Për Kosovën që sapo ishte çliruar në vitin 1999, kur po viheshin themelet e një rendi të ri politik dhe vleror drejt demokracisë dhe pavarësisë, dhe kur po ndryshonin për herë të parë rregullat e të folurit në publik, Nexhat Daci pati për detyrë të drejtonte diskutimin në Kuvendin e Kosovës nga pozita e kryetarit. Me maturinë dhe qetësinë e tij karakteristike, ai dha shembull se si duhet kuvenduar në këtë Kuvend dhe se si duhet zhvilluar betejat politike nga foltorja dhe ulëset e këtij institucioni”, tha Kurti.
Kurse në fjalën e saj, Osmani tha se Daci do të kujtohet si burrështetas, dijetar e intelektual i përkushtuar, transmeton Klankosova.tv.
“Jemi mbledhur për të ia thënë lamtumirën akademik Nexhat Dacit, burrështetas, dijetar dhe intelektual i përkushtuar. Me dije të thellë, integritet personal dhe përkushtim të palëkundur ai i shërbeu Kosovës si kryetar Kuvendi, ushtrues detyre i Presidentit, deputet, akademik dhe drejtues i institucioneve shkencore, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në ndërtimin e institucioneve demokratike dhe në zhvillimin e mendimit shkencor në vendin tonë”, u shpreh e para e vendit.
“Në vendin tonë ka njerëz që shfaqen në kohë të qeta, dhe ka njerëz që formësohen në kohë të vështira. Akademik Nexhat Daci i përkiste kësaj të dytës. Në periudhat më të rënda të popullit tonë, ai u rreshtua me vendosmëri në shërbim të kauzës për liri e pavarësi, duke qenë bashkëpunëtor i afërt i presidentit historik, Ibrahim Rugova në këtë kauzë”, tha ajo.
