Qeveria në detyrë ka ndarë sot 10 mijë euro me qëllim të mbështetjes financiare për mbulimin e shpenzimeve të funeralit për ish-Kryetarin e Kuvendit, Akademik Nexhat Dacin.
Vendimi është marrë sot në një mbledhje elektronike.
Daci u varros sot në Dragodan me nderimet më të larta shtetërore.
Në varrim morën pjesë Kryeministri në detyrë, Albin Kurti dhe Presidentja Vjosa Osmani.
Paraprakisht u mbajtë një akademi përkujtimore në Kuvend, si dhe homazhet.
Daci vdiq dje në moshën 81-vjeçare.
Akademik Nexhat Daci, kishte qenë deputet i Kuvendit të Kosovës nga viti 2001 deri më 2011, ndërkaq e kishte udhëhequr organin ligjvënës për dy mandate në periudhën 2000-2004 dhe 2004-2006.
Në periudhën kur udhëhoqi Kuvendin e Kosovës ishte pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Pas vdekjes së udhëheqësit të LDK-së dhe presidentit të atëhershëm të Kosovës, Ibrahim Rugova, Daci shërbeu si ushtrues i detyrës së presidentit për rreth një muaj më 2006.
Pas ndasive me LDK-në, Daci e themeloi Lidhjen Demokratike të Dardanisë dhe u bë kryetar i kësaj partie.
