Përmbyten nënstacionet, KEDS ndërprenë energjinë elektrike për tri komuna

Përmbyten nënstacionet, KEDS ndërprenë energjinë elektrike për tri komuna

Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike (KEDS) e ka ndërprerë furnizimin me energji elektrike për Drenasin, Malishevën dhe Rahovecin.

Përmes një njoftimi për media, kjo kompani ka bërë me dije se ndërprerje e rrymës për këto komuna është bërë për arsye sigurie.

Pamjet që ka sjell kompania tregojnë se nënstacionet në këto komuna janë vërshuar.

“Si pasojë e reshjeve të dendura të shiut dhe rrezikut të krijuar në nënstacionin Drenas 220/10 kV, është ndërmarrë masa për ndërprerjen e furnizimit me energji elektrike në zonën e Drenasit, për arsye sigurie. Uji ka depërtuar në nënstacion, duke paraqitur rrezik serioz për funksionimin e sigurt të rrjetit elektrik. Autoritetet përkatëse, përfshirë Policinë dhe Zjarrfikësit, janë njoftuar dhe janë në koordinim të vazhdueshëm”, është thënë në njoftim, duke dhënë detaje tjera.

“KEDS njofton se gjendja është jo stabile edhe në Komunat e Malishevës dhe Rahovecit, për shkak të vërshimeve, ku për arsye sigurie është bërë ndalja e furnizimit me energji elektrike deri në stabilizimin e situatës. Ekipet e KEDS janë në terren dhe po punojnë intensivisht për menaxhimin e situatës dhe rikthimin e furnizimit sapo të krijohen kushte të sigurta”, është thënë në njoftim.

Related Articles