Në Gjilan sot ka filluar manifestimi tradicional “Flaka e Janarit”, që i kushtohet përkujtimit të veprës dhe sakrificës së Rexhep Malës, Nuhi Berishës dhe Kadri Zekës dhe figurave kyçe të rezistencës kombëtare shqiptare, raporton Gazeta “Enigma”.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni me bashkëpunëtorë e bashkëvendës ka bërë homazhe në Varrezat e Dëshmorëve të kësaj komune, me rastin e fillimit të edicionit të 35-të të manifestimit tradicional “Flaka e Janarit”.
“Me homazhe në Varrezat e Dëshmorëve nisëm edicionin e 35-të të manifestimit tradicional “Flaka e Janarit”. Bashkë me familje të dëshmorëve, veteranë të luftës, shoqata të OVL-së së UÇK-së dhe përfaqësues institucionesh, nderuam të rënët që u flijuan në altarin e lirisë”, tha ai.
Përmes një postimi në Facebook, Hyseni ka theksuar se vepra dhe sakrifica e dëshmorëve do të kujtohen gjithmonë ndër breza, duke nënvizuar rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike.
