Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë shpallur degët e Vëllazërisë Myslimane në Egjipt, Liban dhe Jordani si organizata “terroriste”, njoftoi administrata e presidentit Donald Trump, teksa Uashingtoni po intensifikon veprimet kundër grupeve që i konsideron si rivalë të Izraelit në nivel global.
Vendimi u mor të martën, disa javë pasi presidenti Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv që udhëzonte administratën të niste procesin e futjes së këtyre grupeve në listën e zezë, raporton “Al Jazeera”,
Departamenti amerikan i Thesarit i shpalli degët në Jordani dhe Egjipt si “terroristë globalë të përcaktuar posaçërisht”, ndërsa Departamenti i Shtetit e futi organizatën libaneze në listë me një përcaktim më të rëndë, duke e cilësuar si “organizatë terroriste e huaj” (FTO).
Administrata Trump tha se arsyeja kryesore e këtij vendimi lidhet me mbështetjen e supozuar të Vëllazërisë Myslimane për grupin palestinez Hamas dhe me, siç u tha, “aktivitetet kundër interesave izraelite në Lindjen e Mesme”.
“Degët e Vëllazërisë Myslimane pretendojnë se janë organizata qytetare legjitime, por në prapaskenë mbështesin qartë dhe me entuziazëm grupe terroriste si Hamasi”, thuhet në një deklaratë të Departamentit të Thesarit të ShBA-së.
Ndërkohë, Ministria e Jashtme e Egjiptit e përshëndeti vendimin e Shteteve të Bashkuara për shpalljen e degës egjiptiane të Vëllazërisë Myslimane si organizatë terroriste globale.
Këto përcaktime e bëjnë të paligjshme ofrimin e çdo forme të mbështetjes materiale për grupet e listuara dhe parashikojnë sanksione ekonomike për të bllokuar burimet e tyre financiare. Statusi FTO përfshin gjithashtu ndalimin e hyrjes në ShBA për anëtarët e organizatës.
