Anëtari i kryesisë së PDK-së, Arben Mustafa në një konferencë për media ka thënë se Kosova po përballet me një krizë serioze energjetike.
Sipas tij, si pasojë e kësaj situate, siç u shpreh ai, sot prindërit, të moshuarit e bizneset po ndihen të pasigurt.
“Po flasim në emër të prindërve që sot po përpiqen t’i mbajnë fëmijët ngrohtë dhe në emër të të moshuarve, bizneseve që po e ndjejnë pasigurinë e kësaj situate. Kosova po përballet me një krizë serioze energjetike. Kjo krizë nuk ka ardhur rastësisht, është pasojë direkte e një keqmenaxhimi pesëvjeçar nga kjo qeveri. Sot koston po e paguajnë qytetarët e Kosovës”.
“Përveç dështimit për të prodhuar energji, Kosova e ka rritur ndjeshëm importin, i cili po bëhet me kosto të lartë në dëm të Kosovës, dhe kjo barrë po bie mbi qytetarët tanë, të cilët janë ballafaquar me rritje të madhe të çmimit të energjisë elektrike. PDK shpreh solidaritet të plotë me të gjithë qytetarët që po përballen me reduktime dhe temperatura të ulëta”, ka thënë ai.
Mustafa tha se PDK-ja, pas konstituimit të Kuvendit do të kërkojë themelimin e një komisioni hetimor.
“Ne kërkojmë nga qeveria veprime të menjëhershme, jo arsyetime, masa emergjente për stabilizim me energji, transparencë të plotë dhe një plan serioz, të qartë dhe të besueshëm për garantimin e energjisë në vend”.
“Me konstituimin e Kuvendit, PDK do të kërkojë themelimin e një komisioni për hetimin e keqmenaxhimit të sektorit të energjisë gjatë pesë viteve të fundit”, është shprehur ai.
