Në fjalimin e tij vjetor drejtuar forcave të armatosura, presidenti francez, Emmanuel Macron, u përqendrua veçanërisht në nevojën që Franca dhe Evropa të forcojnë kapacitetet e tyre të mbrojtjes dhe të sigurojnë sovranitetin e tyre, shkruan The Guardian.
Ai foli për punën e bërë gjatë një dekade në fushën e riarmatimit, duke theksuar se përpjekjet e deritanishme kanë filluar të “japin fryte”, por ndryshimi i shpejtë i rendit botëror kërkon më shumë urgjencë dhe përpjekje.
“Për të mbetur i lirë, duhet të të kenë frikë. Që të të kenë frikë, duhet të jesh i fuqishëm. Dhe për të qenë i fuqishëm në këtë botë brutale, duhet të veprosh më shpejt dhe më fort,” tha Macron.
Presidenti francez pranoi gjithashtu se Franca mbetet prapa Ukrainës në disa teknologji, veçanërisht në fushën e dronëve, duke vënë në dukje ritmin e shpejtë të inovacionit në këtë sektor.
Në një pjesë të veçantë të fjalimit, ai theksoi rëndësinë e koalicionit European Long-Range Strike Approach (ELSA), i cili synon zhvillimin e kapaciteteve evropiane për goditje në thellësi. Macron theksoi se kjo ka marrë urgjencë pas përdorimit së fundmi nga Rusia të raketës Oreshnik në Ukrainë.
“Ky lëshim është një sinjal shumë i qartë nga një fuqi që tashmë i ka këto kapacitete dhe ka vendosur të sigurojë edhe më shumë, si dhe një mesazh i qartë për të gjithë ata që mendojnë se Rusia nuk është shqetësim për ne,” tha ai.
