Policia e Fierit ka kapur një 31-vjeçar që shiste lëndë narkotike në doza në këtë qytet.
Në operacionin e koduar “Target”, pas një hetimi 6-mujor me metoda speciale, u vu në pranga Frans Begaj.
“Specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Fier, pas informacioneve të siguruara nga hetimi 6-mujor me metoda proaktive, për një shtetas që shpërndante lëndë të dyshuar narkotike kanabis në qytet, kanë organizuar punën për lokalizimin e tij dhe vënien në pranga. Si rezultat i operacionit policor të koduar “Target”, u kap dhe u vu në pranga shtetasi F. B., 31 vjeç, banues në Fier.
Ky shtetas siguronte lëndën narkotike, e ndante në doza dhe më pas e shpërndante në qytetin e Fierit”, njofton policia e Fierit, raporton Euronews.al.
Gjatë momentit të kapjes dhe kontrollit të banesës, policia i gjeti dhe i sekuestroi doza kanabisi të gatshme për shitje. Gjykata e Fierit ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest me burg” për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Materialet i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
