Bekim Haxhiu ka reaguar për ndërhyrjet në procesin e numërimit të votave në zgjedhjet e fundit në Kosovë, duke e cilësuar atë si krim të rëndë kundër demokracisë.
Ai ka fajësuar Presidenten, KQZ-në dhe numëruesit për, siç tha, manipulim të vullnetit të qytetarëve dhe pranimin e votave jashtë afatit ligjor.
Haxhiu theksoi se deputetët e zgjedhur në këto rrethana nuk kanë legjitimitet dhe se, sipas tij, vetëm rinumërimi total mund të korrigjojë pjesërisht dëmin e shkaktuar.
“Nuk ka demokraci me metoda staliniste. Stalini kishte deklaruar: “Nuk ka rëndësi kush voton, por kush i numëron votat.” Kjo u bë realitet në zgjedhjet e fundit në Kosovë. Ndërhyrja në numërimin e votave është krim i rëndë kundër demokracisë. Çdo person që ka manipuluar vullnetin e qytetarëve duhet të mbajë përgjegjësi të plotë ligjore”, ka shkruar ai.
“Përgjegjësia fillon nga lart: –Presidentja, që caktoi zgjedhjet në ditë festash, për t’i shërbyer Kurtit, duke kufizuar monitorimin vendor dhe ndërkombëtar të procesit zgjedhor. – KQZ, që pranoi dhe numëroi vota jashtë afatit ligjor, – Numëruesit që devijuan drejtpërdrejt vullnetin e qytetarëve”.
“Asnjë institucion dhe asnjë individ nuk duhet t’i shpëtojë llogaridhënies. Deputetët e zgjedhur me vota të manipuluara nuk kanë legjitimitet. Vota e lirë është e shenjtë. Demokracia nuk negociohet. Procesi zgjedhor është dhunuar. Votat janë manipuluar dhe vjedhur nga numëruesit, ndërsa votat me postë janë pranuar nga KQZ në kundërshtim të hapur me Ligjin e Zgjedhjeve”.
“Rinumërimi total mund të korrigjojë vetëm pjesërisht dëmin. Për sa kohë që në rezultat përfshihen vota të pranuara jashtë afatit ligjor, integriteti i zgjedhjeve mbetet i cenuar dhe rezultati i komprometuar”.
