Emisioni KIKS Kosova raportoi mbrëmjen e së hënës se Arianit Sllamniku, i cili tash e disa vite shfaqet në televizionet e Kosovës si njohës i situatës politike në vend, proklamon në rrjetet e tij sociale se e ka ilaçin për trajtimin e autizmit tek fëmijët, raporton Gazeta Enigma.
Pas publikimit të emisionit u ngjallën reagime të shumta duke kërkuar veprime konkrete nga institucionet e shtetit.
Sipas Klan Kosovës, Konspiracionisti Sllamniku, pretendon se e ‘shëron’ autizmin, por sipas tyre “medikamentet që ai ofron s’janë për njerëz, por të destinuara për kafshët”.
E për këtë Policia e Kosovës tashmë ka nisur hetimet.
Kjo u konfirmua edhe nga zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.
“Mund të ju konfirmojmë se në lidhje me rastin për të cilën keni pyet, ky rast është duke u trajtuar nga ana e policisë së Kosovës në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit dhe institucionet e tjera përkatëse. Për vazhimin e hetimeve lidhur me këtë rast do të ju njoftojmë me kohë”, deklaroi Hashani për Enigmën. / Gazeta Enigma.
