Ivanka Trump ndan foto nga vizita në jug të Shqipërisë

Ivanka Trump ndan foto nga vizita në jug të Shqipërisë

Ivanka Trump, vajza e Presidentit të Shteteve të Bashkuara Donald Trump, ka ndarë së fundmi në rrjetet sociale disa momente nga vizita e saj në Zvërnec dhe përgjatë bregdetit të Vlorës.

Pamjet e publikuara prej saj në Instagram përfshijnë fotografi dhe video ku spikasin bukuritë natyrore të zonës, deti dhe gjelbërimi karakteristik, si edhe pamje panoramike nga larg të Ishullit të Sazanit. Videot shoqërohen me këngën e njohur shqiptare “Luleborë”.

Ivanka Trump qëndroi për dy ditë në qytetin e Vlorës, ndërsa mbrëmjen e kaluar u prit në Kryeministri nga kreu i qeverisë, Edi Rama. Kryeministri Rama u takua me Ivanka Trump edhe gjatë qëndrimit të saj në Vlorë, ku ata darkuan së bashku në praninë e delegacionit që e shoqëronte.

Mbrëmjen e së mërkurës, Ivanka Trump zhvilloi një takim informal me kryeministrin Rama në zonën e Ujit të Ftohtë, ndërsa më pas ata darkuan në një restorant në Orikum. Në këtë takim morën pjesë edhe rreth 60 arkitektë.

Ivanka Trump mbërriti në Shqipëri dy ditë më parë, e shoqëruar nga një grup arkitektësh, në kuadër të projektit për zhvillimin e Ishullit të Sazanit dhe zonës së Zvërnecit.

Related Articles