U pyet se a do ulet bashkë me Putinin në ‘Bordin e Paqes, ja çka tha Osmani

U pyet se a do ulet bashkë me Putinin në ‘Bordin e Paqes, ja çka tha Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka komentuar në një intervistë për BBC-në lidhur me mundësinë e të qenit pjesë e Bordi për Paqe dhe uljen pranë presidentit të Rusisë, Vladimir Putin.

Gazetari i BBC-së e pyeti se si do të ndihej nëse do të ulej pranë liderit rus në këtë organizatë ndërkombëtare. Osmani u përgjigj se pjesëmarrja e Kosovës në këtë bord është e ndryshme nga përfshirja e saj në Kombet e Bashkuara, ku Rusia ka të drejtë vetoje dhe ka bllokuar shpesh integrimin e Kosovës.

“Ne kemi qenë duke u përpjekur të bëhemi anëtarë të Kombeve të Bashkuara për kaq gjatë, dhe Rusia na ka bllokuar për shkak të vetos së saj. Në këtë organizatë, Rusia nuk ka të drejtë vetoje. Republika e Kosovës është ftuar të jetë anëtare themeluese, një shtet i barabartë. Por ky është një bord për paqe, dhe presidenti Putin po ndjek një luftë në një vend europian. Të gjitha vendet që po e kritikojnë këtë, në fakt janë ulur pranë Putinit në Kombet e Bashkuara”, tha Osmani.

Presidentja theksoi se edhe Mbretëria e Bashkuar, si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së me të drejtë vetoje, është ulur pranë Rusisë në të njëjtën organizatë.

Sipas saj, pjesëmarrja e Kosovës në Bordin e Paqes është një mundësi për të qenë pjesë e vendimeve ndërkombëtare pa u penguar nga vetoja ruse, e cila sipas saj ka kontribuar në konflikte dhe shkatërrim, jo vetëm në Ukrainë, por edhe në Ballkanin Perëndimor.

Osmani nënvizoi se për Kosovën, pjesëmarrja në këtë bord është një hap drejt integrimit ndërkombëtar dhe një mënyrë për të kontribuar në paqe, pa u vendosur në situata që rrezikojnë neutralitetin e vendit ose ndikimin negativ të Rusisë.

Related Articles