Mundësi “shumë të mëdha” për sulme amerikane ndaj Iranit

Mundësi “shumë të mëdha” për sulme amerikane ndaj Iranit

Shtetet e Bashkuara po dislokojnë aeroplanë luftarakë, sisteme të mbrojtjes ajrore dhe aeroplanmbajtës me mijëra trupa në Lindjen e Mesme, një lëvizje që ka rritur tensionet me Iranin dhe mundësitë për veprime ushtarake, thonë ekspertët.

Presidenti amerikan, Donald Trump, kërcënoi me sulme ushtarake kundër Iranit pasi autoritetet vranë mijëra njerëz gjatë një shtypjeje brutale të protestave antiqeveritare. Trump së fundi është tërhequr nga ky kërcënim, por nuk e ka përjashtuar mundësinë e një sulmi ndaj Republikës Islamike.

Ekspertët thonë se grumbullimi ushtarak, si dhe stërvitjet e planifikuara detare të SHBA-së në rajon, rrisin presionin ndaj Iranit dhe ofrojnë më shumë opsione sulmuese ushtarake nëse Uashingtoni vendos ta sulmojë Iranin.

“Ky mund të jetë një mesazh për Iranin se jemi të gatshëm, kapacitetet tona janë në vendin e duhur”, tha për Radion Farda të Radios Evropa e Lirë, Farzin Nadimi, bashkëpunëtor i lartë në Institutin e Uashingtonit për Politika të Lindjes së Afërt.

Nadimi shtoi se mundësitë për sulme të SHBA-së ndaj Iranit janë “shumë të mëdha”, duke vënë në pah grumbullimin “shumë agresiv” ushtarak në Gjirin Persik.

Aeroplanmbajtësi USS Abraham Lincoln dhe tri luftanije të tjera sulmuese janë nisur drejt Lindjes së Mesme, duke bartur më shumë se 5.000 trupa. Komanda Qendrore e SHBA-së ka thënë se aeroplanët luftarakë F-15E Strike Eagle, janë dislokuar në rajon.

Ndërkaq, Forcat Ajrore amerikane thanë më 25 janar se do të nisë një stërvitje disaditore ushtarake në mbarë Lindjen e Mesme “për të demonstruar aftësinë për të dislokuar, shpërndarë dhe mbajtur fuqinë luftarake ajrore” në rajon.

Ky aktivitet ngjason me atë të vitit të kaluar, kur SHBA-ja dërgoi asete ushtarake në rajon para se Izraeli, dhe më pas Uashingtoni kryen sulme ajrore, duke shënjestruar objektet bërthamore të Iranit.

Garda Revolucionare Islamike, dega elitare e forcave të armatosura të Iranit, ka reaguar duke rritur nivelin e gatishmërisë dhe duke u bërë thirrje grupeve të armatosura, që mbështeten nga Irani në Irak, Liban dhe Jemen, që ta mbështesin Teheranin.

Rreziqet

Raportimet e mediave amerikane thonë se Trump po shqyrton një sërë opsionesh ushtarake ndaj Iranit – nga një fushatë e qëndrueshme ajrore që mund të zgjasë me javë ose muaj, deri te sulmet më modeste dhe kryesisht simbolike që kanë për cak forcat e sigurisë të Iranit. Opsionet joushtarake, përfshirë sanksionet shtesë ekonomike, raportohet se po ashtu janë diskutuar.

Ekspertët thonë se çdo veprim ushtarak i SHBA-së kundër Iranit është i mbushur me rreziqe që mund ta përfshijnë të gjithë rajonin. Teherani ka premtuar se do të godasë bazat amerikane në Gjirin Persik si dhe Izraelin, aleat kyç i Uashingtonit.

“Kostot janë të paparashikueshme, hakmarrje ndaj aleatëve të SHBA-së dhe sulme ndaj transportit detar në Gjirin Persik. Partnerët rajonalë nuk duan të paguajnë këtë çmim”, tha për Radion Farda, Mehrdad Khansari, ish-diplomat iranian.

Shtetet rajonale privatisht i kanë bërë thirrje Uashingtonit që të përmbahet, duke qenë se janë të shqetësuara se një konflikt SHBA-Iran do të mund të nxiste një konflikt rajonal.

Khansari argumentoi se vetëm një fushatë ajrore, pa inkursion tokësor, nuk do të çonte në ndryshim të regjimit – nëse ky do të ishte qëllimi përfundimtar i Uashingtonit.

Një pushtim tokësor i Iranit, vendi më i madh dhe me popullsinë më të madhe në Lindjen e Mesme, konsiderohet i pamundur nga shumë ekspertë ushtarakë.

“E mban çështjen të hapur – si Shpata e Damokleut që varet mbi regjimin – por, vetëm sulmet ajrore nuk mund ta rrëzojnë regjimin ose të eliminojnë forcat e tij të sigurisë”, tha ai, duke spekuluar se forcat qeveritare thjesht do të fshiheshin gjatë sulmeve dhe do të shfaqeshin përsëri pas përfundimit të tyre.

Si do të mund të kryejë një sulm?

Nadimi tha se stërvitjet e planifikuara ushtarake amerikane për në ditët në vijim mund të shërbejnë si mbulim për operacione reale.

Ai tha se SHBA-ja mund të përdorë luftë elektronike dhe sulme kibernetike për të çrregulluar radarët dhe rrjetet e komunikimit të Iranit. Më pas, bombarduesit tinëzarë dhe aeroplanët luftarakë mund të depërtonin mbrojtjen ajrore në heshtje totale, duke goditur qendrat e komandës dhe bazat e raketave.

Por, Irani nuk do të ishte i pambrojtur në rast konflikti, argumentojnë ekspertët.

Irani ka raketa lundruese të afta për të kërcënuar luftanijet në ujërat e Gjirit Persik, si dhe raketa balistike që mund të godasin bazat në rajon. Irani madje ka aluduar për këtë gjë, duke vendosur një pankartë të madhe në një shesh kryesor në Teheran gjatë fundjavës, ku paraqitej një aeroplanmbajtëse amerikane e goditur nga një breshëri raketash.

Edhe nëse Uashingtoni zgjedh një sulm kryesisht simbolik, Irani ka të ngjarë të përgjigjet në të njëjtën mënyrë, tha Nadimi.

Related Articles