Rreth një miliard euro fonde mbeten të papërdorura për Kosovën, pasi marrëveshjet ndërkombëtare nuk janë miratuar nga Kuvendi i Kosovës, duke ngadalësuar hyrjen në fuqi të tyre dhe përfitimin e shumës së alokuar, shkruan Gazeta “Enigma”.
Profesori universitar, Mazllum Baraliu, beson se vendi ka ende kohë për të kapur afatet e marrëveshjeve ndërkombëtare.
“Nëqoftëse do të ketë efikasitet në shpalljen e rezultateve përfundimtare, në ankimimet që janë bërë pas certifikimit të rezultateve, mendoj që do të zihen afatet për marrëveshjet ndërkombëtare”, tha ai për Gazetën “Enigma”.
Por, sipas juristit Baraliu, nëse edhe këtu vonohemi, atëherë kjo do të ketë impakt negative në imazhin e vendit para ndërkombëtarëve.
“Nëse këtu vonohemi, atëhere kjo mund të ndikoj negativisht në imazhin e Kosovës, sepse fatkeqsisht, kemi dëshmuar paaftësi politike dhe institucionale vitin e kaluar dhe shumë keq është reflektuar ajo bllokada që ishte. Tani, nëse vazhdojmë përsëri edhe me mos funksionim të institucioneve në mënyrë efikase, siç është tani rasti i KQZ-së, kjo patjetër që ndikon shumë në uljen e rejtingut dhe reputacionin e Kosovës në rrafshin ndërkombëtar”, përfundoi ai./Gazeta Enigma/
