Rreth një miliard euro fonde mbeten të papërdorura për Kosovën, pasi marrëveshjet ndërkombëtare nuk janë miratuar nga Kuvendi i Kosovës, duke ngadalësuar hyrjen në fuqi të tyre dhe përfitimin e shumës së alokuar, shkruan Gazeta “Enigma”.
Njohësi i çështjeve politike, Arton Muhaxheri, ua lë fajin klasës politike për mos arritjen e alokimit të mjeteve nga BE-ja.
“Fakti që Kosova ka dështuar të përfitojë 171 milionë euro nga Komisioni Evropian nuk është gabim procedural, por akt i pastër paaftësie shtetërore. Ky është një skandal politik me pasoja direkte ekonomike. Mjetet ishin në tavolinë, kushtet ishin të qarta, por partitë politike kanë zgjedhur paralizën, konfliktin dhe kalkulimet e ulëta partiake në vend të interesit publik”, tha ai.
Tutje, Muhaxheri tha se kjo “kjo e ekspozon Kosovën si shtet që nuk arrin të funksionojë as në çështjet më elementare dhe e diskrediton seriozisht në sytë e partnerëve evropianë”.
“Dëmi ekonomik është brutal. 171 milionë euro të humbura do të thotë projekte të bllokuara, investime të anuluara, vende pune të parealizuara dhe presion shtesë mbi një ekonomi tashmë të brishtë. Në një kohë kur qytetarët përballen me rritje çmimesh, varfëri dhe pasiguri ekonomike, ky dështim përbën goditje të drejtpërdrejtë ndaj standardit jetësor. Kjo nuk është më thjesht papërgjegjësi — është dëm i qëllimshëm politik ndaj interesit publik dhe një mesazh i qartë se institucionet kanë dështuar tërësisht në menaxhimin e shtetit”, përfundoi ai prononcimin për Gazetën Enigma.
