Kapja e armatimit në veri duhet të lexohet si tregues i qartë i konsolidimit të sigurisë dhe jo si përkeqësim i saj, thotë eksperti i sigurisë rajonale, Drizan Shala.
“Seria e fundit e konfiskimeve të armatimit dhe municionit në veriun e Kosovës duhet të lexohet si një tregues i qartë i konsolidimit të sigurisë dhe jo si shenjë përkeqësimi të saj. Këto raste nuk janë incidente të rastësishme, por rezultat i një pune të qëndrueshme operative dhe informative të institucioneve të Kosovës, të cilat kanë arritur të depërtojnë në hapësira që për vite me radhë kanë qenë të vështira për t’u kontrolluar. Fakti që armatimi po zbulohet dhe po konfiskohet tregon se shteti sot ka më shumë informacion, prani më të madhe në terren dhe kapacitet më të mirë reagimi”, tha ai për Gazetën “Enigma”.
Ai tha se këto zhvillime lidhen indirekt me tensionet në rajon, duke theksuar se veriu gjithmonë është përdor si pikë strategjike për të destabilizuar vendin dhe rajonin.
“Në kontekst më të gjerë, këto zhvillime lidhen indirekt edhe me tensionet gjeopolitike në rajon. Veriu i Kosovës historikisht është përdorur si hapësirë për presion politik dhe veprime hibride nga Serbia dhe aktorë të tjerë destabilizues. Megjithatë, dallimi thelbësor sot është se këto instrumente po ekspozohen dhe neutralizohen në fazë shumë më të hershme, duke ua ulur ndjeshëm vlerën operative dhe strategjike”, theksoi ai.
Kjo siç thekson ai e bën situatën aktuale më të menaxhueshme sesa në vitet e kaluara, edhe pse sfidat mbeten reale. “Krahasuar me periudhat e mëparshme, situata e sigurisë në veri është objektivisht më pak e cenueshme. Në të kaluarën, armatimi ilegal ekzistonte, por shpesh nuk identifikohej dhe nuk konfiskohej, ndërsa rrjetet ilegale vepronin me liri më të madhe. Sot kemi një realitet tjetër, ku institucionet janë më të pranishme, reagimi është më i shpejtë dhe koordinimi ndërinstitucional është dukshëm më funksional”, shtoi ai.
Eksperti i sigurisë vlerëson se shteti duhet të jetë vigjilent rreth këtyre rasteve, por jo edhe i alarmuar, pasi konfiskimet e shpeshta po tregojnë se mekanizmat e sigurisë po funksionojnë.
“Sa i përket sasisë së armatimit të konfiskuar, shteti duhet të jetë vigjilent, por jo i alarmuar. Çdo armë jashtë kontrollit ligjor përbën rrezik potencial, por fakti që këto armë po zbulohen dhe po hiqen nga qarkullimi është tregues se mekanizmat e sigurisë po funksionojnë. Është e arsyeshme të supozohet se ende mund të ketë armatim të fshehur, por njëkohësisht është e qartë se hapësira për ta mbajtur atë po zvogëlohet ndjeshëm”, tha ai.
“Një element shumë pozitiv në këtë proces është përmirësimi i bashkëpunimit mes institucioneve të Kosovës dhe qytetarëve nga komuniteti serb. Informacionet që po çojnë në konfiskime nuk burojnë vetëm nga kapacitetet teknike, por gjithnjë e më shumë nga bashkëpunimi qytetar, gjë që tregon rritje të besimit dhe integrim gradual në rendin ligjor dhe institucional të Kosovës. Kjo e bën të qartë se veriu po largohet nga logjika e zonës së paqëndrueshme dhe po hyn në një fazë të re, ku sundimi i ligjit dhe siguria po forcohen në mënyrë të qëndrueshme”, përfundoi ai.
