Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, që vepron në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ka organizuar një aksion të gjerë inspektues në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Administratën Tatimore të Kosovës dhe Inspektoratin Qendror të Punës.
Sipas njoftimit, qëllimi i këtij aksioni ishte sigurimi i respektimit të standardeve ligjore, mbrojtja e konsumatorëve, garantimi i konkurrencës së ndershme në treg, si dhe verifikimi i përmbushjes së obligimeve ligjore nga ana e subjekteve ekonomike.
Gjatë këtij aksioni janë inspektuar gjithsej 69 subjekte ekonomike, ku fokusi kryesor ka qenë mbikëqyrja e bizneseve që ushtrojnë veprimtari në fushën e hotelerisë dhe turizmit, përfshirë kryesisht vilat dhe motelet.
Inspektorët e Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, konform kompetencave ligjore, kanë vendosur mbyllje të përkohshme për 26 subjekte ekonomike në tërë territorin e Kosovës, për shkak të mos regjistrimit të bizneseve, si dhe mungesës së pëlqimit ose aktvendimit për plotësimin e kushteve minimale teknike.
Ndërkaq, ndaj operatorëve ekonomikë që ushtronin veprimtarinë në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, inspektorët kanë shqiptuar gjithsej 27 masa ndëshkuese.
Institucionet pjesëmarrëse në aksion, përfshirë Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, kanë bërë të ditur se do të vazhdojnë me aktivitete të ngjashme edhe në të ardhmen, me qëllim të forcimit të sundimit të ligjit dhe krijimit të një mjedisi të sigurt dhe të rregullt për zhvillimin e veprimtarive ekonomike në Republikën e Kosovës.
