Prej katër ditësh, në shtratin e lumit Vjosë në Shqipëri vazhdojnë kërkimet për gjetjen e trupit të 65-vjeçarit Ylli Dine. Ai është larguar pa adresë nga banesa më 3 shkurt, ndërsa humbja e tij është denoncuar nga familjarët në policinë lokale.
65-vjeçari punonte si bari në zonat buzë lumit Vjosë, çka ka ngritur dyshime se ai mund të ketë rrëshqitur aksidentalisht në ujërat e lumit. Në operacionin e kërkimit janë përfshirë palumbarët e RENEA-s, efektivë të Policisë së Shtetit, si dhe strukturat e emergjencës.
Krehja e shtratit të Vjosës po zhvillohet në një terren të vështirë, për shkak të rrymave të forta të ujit dhe kushteve natyrore. Familjarët apelojnë për ndihmë për gjetjen e trupit të 65-vjeçarit.
“Ai kishte disa dele, i kulloste çdo mëngjes në zonën anës Vjosës dhe pasdite i merrte. Në kohën që është kthyer pasdite, për të nxituar i ka rrëshqitur këmba, siç na thanë, ndërsa pamë edhe vetë vendin”, thotë vëllai i tij, Agron Dine, shkruan Euronews.al.
Në një tjetër apel, vëllai i 65-vjeçarit kërkon ndihmë nga institucionet dhe qytetarët.
“I lutem shtetit dhe gjithë njerëzve që kanë marrë vesh këtë histori të bëjnë çfarë është e mundur, të na ndihmojnë për gjetjen e trupit.”
Të afërmit kërkojnë që kushdo që mund të ketë informacion, të kontaktojë strukturat përkatëse për të ndihmuar në zbardhjen e ngjarjes. Deri në këto momente, 65-vjeçari Ylli Dine nuk është gjetur, ndërsa kërkimet në lumin Vjosë vijojnë.
