Eliza Hoxha, përfaqësuese e platformës “Liria ka Emër”, ka thënë se Kosova nuk ka bërë mjaftueshëm si në qarqet ndërkombëtare ashtu edhe të brendshme për ta paraqitur historinë e luftës çlirimtare në mënyrën e duhur.
Ajo ka theksuar se pas luftës “nuk i kemi kryer detyrat e shtëpisë si shoqëri”, derisa ka treguar dy kryesore që është dashur të kryhen. Sipas Hoxhës, shoqëria deri tash është dukur sikur është mjaftuar me idenë e lirisë, çlirimit dhe pavarësisë.
“Ato janë dy, e para një konsensus ku copëzat tona historike të kontribuojnë te kush më pak e kush më shumë vijnë në një mozaik të përbashkët dhe pajtohemi që kjo është fotografia jonë historike deri në çlirimin e Kosovës. E dyta, çdo vend pas luftës mundohet të bëjë edhe një gjykatë të veten ku bazuar në normat juridike ndërkombëtare të krijojë mundësinë e profilit dhe pastërtisë të asaj lufte”, ka thënë ajo në “Konfront”.
