Hoxha: Njeriu që na shërbente kafe në Hagë ishte hetues

Hoxha: Njeriu që na shërbente kafe në Hagë ishte hetues

Përfaqësuesja e platformës “Liria ka emër”, Eliza Hoxha, ka thënë se procesi i gjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së që ndodhen në Hagë ka qenë shumë i kontaminuar por edhe i paqartë. Hoxha ka thënë se ka qenë proces që është përcjellë me shumë anomali.

Në emisionin “Konfront” në KTV, ajo ka theksuar se një person i cili iu ka shërbyer kafe kur i kanë vizituar Thaçin dhe të tjerët, më vonë të njëjtin e kanë parë te trupi gjykues.

“Për mua procesi është shumë i kontaminuar dhe i paqartë. Në një diskutim që e kemi pasur kur i kemi takuar tetë të burgosurit atëherë përfshirë edhe Nasim Haradinajn dhe Hysni Gucatin përveç Salih Mustafës që nuk na kanë lejuar ta takojmë, një pyetje ka qenë: pse duhet të jetë Kadri Veseli këtu përderisa në lëndën që ata brenda kanë parë nuk përmendet askund. Tjetra ka qenë anomalitë kur sheh një person i cili ka qenë i njëjti që na ka shërbyer kafe dhe në një moment tjetër ti e sheh të njëjtin në gjykatë në një rol tjetër, ai që ka qenë roje. Pastaj i njëjti është te trupi gjykues”, ka deklaruar Hoxha.

Hoxha ka thënë se nga Gjykata Speciale janë interesuar edhe për personat që kanë organizuar protesta në kërkim të drejtësisë për ish-krerët e UÇK-së. Sipas Hoxhës ata i kanë vlerësuar si nxitje të popullit thirrjet për protestë.

“Kemi pasur selame prej atje që kush janë këta njerëz, CV-të e tyre, po e nxisin popullin. Pra shiheni deri ku ka shkuar qasja e tyre. Cili është sikleti i një gjykate që të shkojë të mbajë ligjërata në shkolla para disa fëmijëve që janë duke u rritur. Një ligjëratë të tillë le ta bëjnë te studentët e Fakultetit Juridik”, ka thënë Hoxha.

Hoxha ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës për nga brenda si parti ka “mbijetuar mirë” marrë parasysh punën për atë që është kërkuar nga Haga.

“PDK-ja edhe politikisht si parti ka mbijetuar mirë sepse ka operuar me gjysmë baterie, komplet një pjesë e madhe e njerëzve ka punuar dhe sistemuar gjëra për të cilat është kërkuar nga trupa mbrojtëse në Hagë”.

Related Articles