Avokati i Hashim Thaçit, Luka Mishetiq po vazhdon me deklarimin e fjalëve përmbyllëse në Hagë me ç’rast i theksoi dëshmitë e ndërkombëtarëve si James Rubin dhe Wesley Clark, raporton Gazeta Enigma.
“Thaçi nuk ishte person që mund të kryente dhunë”, citoi avokati dëshmitë e ndërkombëtarëve që ishin thirrur nga mbrojtja e Thaçit.
I shtoi se prokuroria po tenton të hedh poshtë dëshmitë e tyre.
“Pretendimet e ZPS-së se ndërkombëtarët nuk ishin të informuar saktë, është karakteristikë e veçantë duke marr parasysh mënyrën e centralizuar të komunikatave të UÇK-së dhe intervistat në televizione”, tha Mishetiq.
“Ju keni dëgjuar nga dëshmitarët ndërkombëtarë që kanë thënë se Hashim Thaçi nuk dyshohej për krime lufte, ndërkohë që këto ngjarje po ndodhnin dhe po zhvilloheshin. Dëshmitarët ndërkombëtarë ju thanë se për këto ngjarje ishin të informuar përmes burimeve diplomatike, shërbimeve të inteligjencës dhe të tjera, si dhe përmes përvojave të tyre personale, përfshirë përvojat e tyre me Hashim Thaçin”, tha ai në deklaratën përmbyllëse në këtë rast gjyqësor.
Misetic përmendi figurat që dëshmuan në mbrojtje të Thaçit si ish-komandanti suprem i forcave aleate të NATO-s, Wesley Clark, ish-ndihmësi i Sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin dhe diplomati i pensionuar amerikan, Christopher Hill, ndër të tjerë, duke cituar edhe fjalë nga dëshmitë e tyre.
Ai iu përgjigj edhe pretendimit të Prokurorisë së Specializuar se këta dëshmitarë nuk ishin të informuar mirë për veprimtarinë e Thaçit dhe të ish-krerëve të tjerë të akuzuar të UÇK-së.
