Mbrojtja e Kadri Veselit ka vazhduar me reagime ndaj pretendimeve të ZPS-së, duke thënë se ajo po përpiqet të ndërtojë fajësi kolektive ndaj UÇK-së dhe drejtuesve të saj.
Sipas mbrojtjes, deklaratat që po përdoren si prova të drejtpërdrejta janë atribuime të përgjithshme ndaj Shtabit të Përgjithshëm.
“Deklaratat që përdoren si provë e drejtpërdrejtë janë ato që i atribuohen Shtabit të Përgjithshëm dhe përdoren si mbështetje kundër gjithë shtabit në përgjithësi. Kjo është fajësia që vërtetohet përmes mbajtjes së një pozicioni të caktuar”, u tha në deklaratë.
Avokati Rodney Dixon e ka cilësuar këtë qasje si fajësi kolektive.
“ZPS tha se UÇK-ja dhe strukturat e saj ishin mjetet përmes së cilave një fushatë masive kriminale u krye për të dominuar Kosovën, duke fshirë të gjithë ata që pengonin rrugën e tyre. Kjo ka prekur gjithë UÇK-në”, theksoi avokati.
Tutje, avokati Dixon kundërshtoi pretendimin se veprimet e UÇK-së dhe Shtabit të Përgjithshëm kanë qenë kriminale.
“UÇK, sipas ZPS-së, si organ dhe shtabi i saj kanë vepruar në mënyrë kriminale duke kërkuar që të jenë në gjendje t’i rezistojnë forcave serbe”, thuhet në reagim.
Në fund, mbrojtja theksoi se çdo veprim i Kadri Veselit gjatë kohës në UÇK ka pasur qëllim rezistencën ndaj forcave serbe dhe jo realizimin e ndonjë ndërmarrjeje të përbashkët kriminale.
“Çdo veprim në punën e Veselit në UÇK është bërë për të luftuar kundër vështirësive dhe tani pretendohet si kontribut në realizimin e NPK-së”, përfundoi avokati.
