Një incident zjarri ka ndodhur në një objekt në Prishtinë. Ngjarja ka filluar mbrëmë në rrugën “Dritan Hoxha”, në vendin ku aktualisht ndodhet Agjencia Kosovare e Privatizimit.
Sipas Abdulsamed Shkodrës, zëvendëskomandant i Brigadës së Zjarrfikësve të Prishtinës, nga objekti po del tym, por njerëzit nuk rrezikohen. Ai shtoi se ekipet ende nuk kanë arritur të hyjnë saktësisht brenda bodrumit të objektit, për shkak të qasjes së vështirë dhe kthesave që e bëjnë atë të ngjashëm me një labirint.
Shkodra tha se ende nuk dihet shkaku i zjarrit.
“Sipas informacioneve të para, dyshohet se mund të jenë djegur disa mbeturina ose pjesë të arkivit apo dokumentacionit të paraluftës, por kjo ende nuk është konfirmuar. Kur të hyjmë në vendin e ngjarjes, do të përcaktojmë shkakun e saktë,” deklaroi ai.
Rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Prishtinës, ku sipas zëdhënësit Enis Pllana nga ky incident s’ka persona të lënduar nga incidenti.
