Shqipe Krasniqi, njëra nga shumë gratë që rrokën armët dhe i dolën armikut përpara ka rrëfyer para mijëra pjesëmarrësve sakrificën që ajo dhe familja e saj kaluan ndër vite për çlirimin e vendit.
Ish-ushtarja e UÇK-së tha se të ishe shqiptarë do të thoshte të jetoje me frikë, me kufizime dhe padrejtësi të përditshme.
“Kam parë prindër të larguar nga puna, profesorë të përjashtuar, studentë të ndjekur dhe familje të tëra të poshtëruar… vetëm pse ishin shqiptarë. Kam parë baballarë të përulur dhe nëna që qanin fshehurazi që fëmijët të mos ua shihnin lotin”, tha ajo në fjalimin e saj.
