Kurti flet për Gjykatën Speciale me juristin ndërkombëtar Geoffrey Nice

Kurti flet për Gjykatën Speciale me juristin ndërkombëtar Geoffrey Nice

Kryeministri Albin Kurti,  është takuar me juristin ndërkombëtar, Geoffrey Nice, i cili ishte  i shoqëruar nga avokati Taulant Hodaj.

Me këtë rast, Geoffrey e uroi kryeministrin për rizgjedhjen e tij në detyrë.

Gjatë takimit, Kurti dhe  Nice biseduan për bashkëpunimin e tij të mëhershëm me Qeverinë e Kosovës, si dhe për një mori temash që ndërlidhen me të drejtën ndërkombëtare dhe funksionimin e Gjykatës Speciale.

“Në veçanti, Kryeministri e informoi z. Nice për përpjekjet e deritanishme të Qeverisë së Kosovës për të përkrahur, në forma të ndryshme dhe brenda kornizës ligjore, të akuzuarit e kësaj Gjykate. Nga ana e tij, Nice shprehu gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin me Qeverinë e Kosovës edhe në të ardhmen”, thuhet në një njoftim të zyrës së Kurtit për këtë takim.

Geoffrey Nice është jurist dhe avokat i njohur ndërkombëtarisht, me një karrierë të gjatë në fushën e së drejtës penale ndërkombëtare dhe së drejtës ndërkombëtare publike.

Ai ka shërbyer si prokuror në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (ICTY), ku ka udhëhequr ndjekjen penale në rastin kundër Sllobodan Millosheviqit. Përvoja e tij e gjerë në trajtimin e krimeve ndërkombëtare, përgjegjësisë shtetërore dhe çështjeve komplekse juridike e ka bërë atë një nga emrat më të respektuar në këtë fushë.

Related Articles