Deputeti i Lidhja Demokratike e Kosovës, Besian Mustafa, të enjten ka njoftuar se do të dorëzojë sot një amendament në Komisionin Parlamentar për Buxhet për përfshirjen e buxhetit të Prishtinas në Projektbuxhetin e vitit 2026.
Sipas tij, amendamenti do të paraqitet në mbledhjen e Komisionit që mbahet në orën 13:00, me synimin për të siguruar mbështetje nga të gjitha partitë parlamentare. Mustafa ka theksuar se përfshirja e buxhetit të kryeqytetit nuk duhet të trajtohet si çështje lokale apo partiake, por si interes i përgjithshëm shtetëror.
“Si qendra jonë kryesore ekonomike, akademike, shëndetësore dhe administrative, infrastruktura e kryeqytetit përballon çdo ditë një fluks masiv të qytetarëve nga çdo komunë tjetër. Zhvillimi i Prishtinës, rregullimi i infrastrukturës dhe përmirësimi i shërbimeve të saj, ndikon drejtpërdrejt në jetën e qindra mijëra qytetarëve që punojnë, studiojnë apo marrin shërbime këtu”.
Ai theksoi se “Mbështetja e këtij amendamenti nuk duhet të shihet si një favor lokal apo betejë politike, por si një domosdoshmëri për një shtet më funksional. Kur bëhet fjalë për Kryeqytetin tonë, besoj fort se interesi i përgjithshëm shtetëror duhet të lartësohet mbi çdo ngjyrë apo ndasi partiake”.
