Me 6 vota “për”, 3 kundër dhe një abstenim Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit ka votuar projektbuxhetin e vitit 2026-të.
Në komision nuk u miratua as kërkesa e Këshillit Gjyqësor, ku vetëm 3 persona votuan për, ndërsa asnjë kundër dhe shtatë abstenime.
Ndonëse kryetari i Komisionit nga radhët e PDK-së, Përparim Gruda, konsideroi të drejtë dhe praktikë e mirë që kërkesat e sistemit të drejtësisë.
“Mendoj që është mirë që në Komisionin për Legjislacion kërkesa që vjen nga organi i drejtësisë me u miratu kërkesa buxhetore. Është një praktikë evropiane që organet e drejtësisë sa herë propozojnë buxhetin, ai buxhet bartet në buxhetin e shtetit, miratohet dhe konsiderohet që kur shteti, parlamenti miraton buxhetin e propozuar prej organeve të drejtësisë ashtu siç e propozon si një prej elementeve forcon pavarësinë e sistemit të drejtësisë. Pavarësia financiare është thelbësore për këtë sistem. Për mua kërkesa është e drejtë, e dini që ka pasë probleme me pallatin e drejtësisë deri tek ajrimi, stafin që punon nëpër gjykata. sot kemi 80 mijë lëndë të pazgjidhura dhe kjo vjen edhe si shkak i mungesës së atij stafi, mosplotësimit të vendeve të punës”, tha Gruda.
Por Adnan Rrustemi tha se kjo nuk mund të trajtohet në këtë fazë, dhe për këtë më mirë është të shqyrtohet në komisionin për buxhet.
“Në këtë fazë, personalisht nuk jam për të proceduar tutje. Kërkesa e GJK-së i ka shkuar dhe komisionit për buxhet dhe trasfere, do ta kenë dhe ata, dhe do ta kenë mundësinë ta shqyrtojnë dhe do ta kenë më lehtë nëse kërkesa është e bazuar duke pasë gjithë strukturën e buxhetit sepse në fund të fundit duhet të hiqet diku e të shtohen diku tjetër”, tha ai.
Debat nxiti edhe kërkesa e PDK-së, e paraqitur nga Blerta Deliu në lidhje me kërkesën e 90 mijë shërbyesve civilë, por nuk mori votat e mjaftueshme në komision.
“Sindikata e pavarur e administratës së Kosovës ka pasë kërkesë për 90 mijë shërbyes të administratës për çështjen e koeficientit. Ka qenë kërkesë legjitime, sepse ekziston nëj aktgjykim i gjykatës Kushtetuese të dy viteve paraprake që nuk iu njihet çështja e koeficientet. Bashkë me Grudën e kemi pa mundësinë përmes amendamentit të komisionit në mënyrë që t’iu drejtohemi dhe ta kemi amendament për të trajtuar kërkesën që është e deponuar nga kryesindikalisti e që është kërkesë e drejtë sepse flet për kushtetutshmërinë dhe ky komisione ka për detyrë ta trajtojë”, tha ajo.
Këtu pati një ndërhyrje ironike nga shefi i grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.
“Buxheti shkojë, i vdiq nana buxhetit Blertë”, ndërhyu Tahiri.
