Një i ri mbeti i vrarë me thikë këtë të premte në Tiranë. Ngjarja e rëndë ndodhi në rrugën “Kongresi i Lushnjes” dhe në konflikt dyshohet se u përfshinë të paktën tre persona.
Sipas mediave shqiptare, viktimë nga kjo ngjarje ka mbetur 31-vjeçari Egli Pashollari.
Ai dyshohet se është sulmuar menjëherë sapo ka dalë nga makina nga tre persona, dy djem dhe një vajzë. Gjatë përleshjes fizike, njëri prej djemve e ka goditur të paktën një herë në kurriz.
Pashollarit i është dhënë ndihma e parë pranë një lokali dhe me makinën e tij e kanë nisur drejt spitalit disa persona të tjerë, dëshmitarë në vendngjarje. Ai humbi jetën gjatë rrugës për në spital.
Policia mësohet se ka mundur të identifikojë autorët e ngjarjes, por kapja e tyre nuk është bërë e mundur ende. Krimi, që ndodhi në trotuar, u regjistrua nga kamerat e sigurisë në zonë.
Vetëm 10 minuta më vonë, në një tjetër ngjarje, jo shumë larg zonës ku ndodhi vrasja, një person mbeti i plagosur me armë zjarri. Deri në këto momente nuk raportohet që ngjarjet të kenë lidhje me njëra-tjetrën.
Vetë policia e Tiranës, në një informacion paraprak për të dyja këto raste, tha: “Rreth orës 15:40, dyshohet se gjatë një konflikti në rrugën “Kongresi i Lushnjes”, është goditur me një mjet prerës shtetasi E. P., rreth 31 vjeç, i cili si pasojë ka humbur jetën në spital.
Rreth orës 15:50, në Rrugën e Kavajës, dyshohet se gjatë një konflikti është plagosur me armë zjarri shtetasi A. K., 34 vjeç, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën. Policia i ka identifikuar autorët e këtyre dy ngjarjeve, të dhënat e të cilëve nuk jepen, për shkak se hetimi vijon. Punohet intensivisht për kapjen e tyre”.
Grupet hetimore vijojnë punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjeve dhe dokumentimin e plotë ligjor të tyre, si dhe për identifikimin e shtetasve të tjerë të dyshuar të përfshirë në ngjarje.
