Kurti viziton AKI-në në 18-vjetorin e Pavarësisë, përuron objekt modern dhe ndan certifikata për zyrtarët e rinj

Kurti viziton AKI-në në 18-vjetorin e Pavarësisë, përuron objekt modern dhe ndan certifikata për zyrtarët e rinj

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar të enjten Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI), ku është pritur nga drejtori Petrit Ajeti, stafi drejtues dhe zyrtarë të tjerë të institucionit.

Vizita u realizua në kuadër të shënimit të 18-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe 17-vjetorit të themelimit të AKI-së. Me këtë rast, u ndanë certifikata për zyrtarët e rinj të agjencisë, ndërsa po ashtu u përurua një objekt modern në kompleksin e AKI-së.

Gjatë qëndrimit në këtë institucion, Kurti theksoi rëndësinë e inteligjencës si një nga hallkat kyçe në mbrojtjen e sovranitetit të vendit, duke garantuar përgatitjen për sfidat e sigurisë dhe vendimmarrje të informuar në funksion të interesit shtetëror.

Ai nënvizoi se, në kuadër të prioriteteve të Qeverisë për forcimin e sektorit të sigurisë, AKI ka gëzuar mbështetje të vazhdueshme përmes rritjes së buxhetit, mbështetje kjo që sipas tij do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Kryeministri u shpreh i inkurajuar nga avancimi i vazhdueshëm i kapaciteteve teknologjike, analitike dhe operative të AKI-së, duke theksuar përshtatjen e institucionit me realitetin e ri të sigurisë dhe forcimin e bashkëpunimit me institucionet vendore dhe partnerët ndërkombëtarë.

Sipas tij, sukseset e AKI-së në vitet e fundit kanë kontribuar në sigurinë kombëtare dhe rajonale, përmes trajtimit profesional të kërcënimeve si spiunazhi, kërcënimet hibride dhe kibernetike, ekstremizmi, radikalizmi dhe krimi i organizuar.

Në fund, Kurti shprehu mirënjohje për stafin drejtues dhe të gjithë zyrtarët e AKI-së për përkushtimin dhe profesionalizmin e treguar në shërbim të mbrojtjes së Republikës dhe qytetarëve të saj.

Related Articles