I akuzuari për fajde dënohet me 1 vit e 8 muaj burgim

I akuzuari për fajde dënohet me 1 vit e 8 muaj burgim

Gjykata Themelore në Pejë, Dega në Istog, e ka shpallur fajtor Shërbim Berishën për veprën penale të fajdesë, duke e dënuar me 1 vit e 8 muaj burgim dhe 1,500 euro gjobë.

Sipas aktgjykimit të 13 janarit 2026, Berisha gjatë periudhës 7 mars 2015 deri më 7 maj 2016, në Deçan, i kishte dhënë 15 mijë euro të dëmtuarit Rifat Jasiqi me kamatë mujore 5%, përkatësisht 750 euro në muaj (rreth 60% në vit).

Gjykata ka konstatuar se i dëmtuari ka paguar gjithsej 11,250 euro vetëm në emër të kamatës për 15 muaj, ndërsa borxhin bazë nuk ka arritur ta shlyejë.

Në aktgjykim thuhet se i akuzuari ka shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarit për përfitim të kundërligjshëm, duke realizuar dobi pasurore në shumën 11,250 euro.

Dënimit me burgim i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak gjatë viteve 2016 dhe 2025. Gjykata ka vendosur që dënimi me gjobë të paguhet brenda 15 ditësh nga plotfuqishmëria e aktgjykimit, ndërsa në rast mospagese, ajo do të zëvendësohet me 75 ditë burgim.

Po ashtu, me vendim plotësues, i akuzuari obligohet që brenda 30 ditësh nga plotfuqishmëria e aktgjykimit t’ia kompensojë dëmin të dëmtuarit në shumën prej 11,250 euro, në të kundërtën përmes përmbarimit.

Gjykata gjithashtu e ka obliguar të akuzuarin që të paguajë shpenzimet procedurale, përfshirë 100 euro paushall gjyqësor dhe 20 euro për programin për kompensimin e viktimave të krimit.

Pas shpalljes së aktgjykimit, atij i është ndërprerë masa e paraburgimit.

Rasti fillimisht ishte pjesë e një aktakuze më të gjerë të Prokurorisë Themelore në Pejë kundër disa personave për fajde, por procedura ndaj Berishës ishte veçuar më 28 tetor 2025 për shkak të mungesës së tij në seancat gjyqësore. Ai më pas ishte siguruar në procedurë përmes urdhërarrestit.

Gjatë gjykimit, i dëmtuari ka deklaruar se kishte marrë shumën prej 15 mijë euro dhe kishte paguar kamatë mujore, çka sipas prokurorisë u mbështet edhe nga provat materiale, përfshirë një fletore të sekuestruar ku ishin evidentuar pagesat dhe nënshkrimet.

Në anën tjetër, mbrojtja e të akuzuarit kishte kundërshtuar akuzën, duke pretenduar se bëhej fjalë për huadhënie mes palëve pa interes të kundërligjshëm dhe se provat ishin të pasakta dhe kundërthënëse.

Megjithatë, gjykata ka vlerësuar se provat e administruara, përfshirë dëshmitë dhe materialet e sekuestruara, vërtetojnë përtej dyshimit të bazuar mirë kryerjen e veprës penale të fajdesë.

Të akuzuarit Arbër Gashi, Ajet Kuqi, Xhevdet Cacaj, Idriz Gashi, Shërbim Berisha, Blerim Thaqi dhe Isuf Thaqi, ngarkohen për veprën penale të fajdesë, në dëm të dëmtuarit Rifat Jasiq. Për të akuzuarin Blerim Thaqi ishte veçuar procedura penale dhe i njëjti është dënuar me 2 vjet burgim dhe 2 mijë euro gjobë për “Fajde”. Ai po ashtu obligohet që pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit në afat prej 30 ditësh t’ia kompensojë të dëmtuarit Jasiq 16 mijë e 650 euro./Betimi për Drejtësi/

Related Articles