Baraliu: Zgjedhjet e reja do ishin fatale, veçanërisht për opozitën

Baraliu: Zgjedhjet e reja do ishin fatale, veçanërisht për opozitën

Teksa kanë mbetur edhe tetë ditë deri tek afati i fundit për zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës së Kosovës, janë shtuar zërat për zgjedhje të reja.

Profesori universitar, Mazllum Baraliu, thotë për Gazetën Enigma se nëse vendi shkon edhe njëherë në zgjedhje, kjo do ishte fatale për të gjithë, “veçanërisht për opozitën”.

“Nëse një formalitet kaq teknik e pengon dikë dhe me inate shkojnë prapë në zgjedhje, sikur në vitin e kaluar, zgjedhjet do të jenë fatale për të gjithë, veçanërisht për opozitën”, tha Baraliu.

“Prandaj, edhe po të mos ketë marrëveshje, nuk e di pse duhet të ketë marrëveshje, kur çdo deputet e ka për detyrë me Kushtetutë dhe me vendim të Gjykatës Kushtetuese, që t’i ndërtojnë institucionet dhe t’i bëjnë funksionale. Kjo do të thotë se ata duhet të jenë në mbledhje të Kuvendit dhe të votojnë për, kundër apo abstenim. Kjo do jetë e mjaftueshme për ta bërë kuorumin herën e parë dhe herën e dytë, dhe në herën e tretë të votohet me mbi 61 vota”, deklaroi profesori universitar.

Baraliu tha se konsensusi është i domosdoshëm.

“Nuk ka zgjidhje tjetër, sepse asnjë zgjidhje tjetër nuk është e pranueshme për dikë që gjykon dhe kupton në mënyrë racionale, si logjikisht, ashtu edhe politikisht. Pra të merren vesh që ta votojnë Vjosa Osmanin, ose nëse kanë ndonjë kandidat të përbashkët konsensual, pse jo, le ta kenë. Por duhet të ketë marrëveshje dhe nivel të lartë të vetëdijes politike, që ta votojnë kandidatin e shumicës fituese, e cila ka fituar në mënyrë masive. Do të duhej të mos ketë gabime që janë bërë vitin e kaluar, e ku populli ndëshkoi opozitën në zgjedhjet e fundit”, tha në fund profesor Baraliu.

Related Articles