Ish-shefi i AKI-së, Driton Gashi edhe në rigjykim dënohet me 4 vjet e 8 muaj burgim për rastin e gylenistëve

Ish-shefi i AKI-së, Driton Gashi edhe në rigjykim dënohet me 4 vjet e 8 muaj burgim për rastin e gylenistëve

Gjykata Themelore në Prishtinë edhe në rigjykim e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me 4 vjet e 8 muaj burgim ish-shefin e Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, Driton Gashi i akuzuar në rastin e njohur si “Gylenistët”. 

Në këtë rast, Driton Gashi në cilësinë e shefit të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (AKI), akuzohej se ishte angazhuar drejtpërdrejt në dëbimin e 6 shtetasve turq nga Kosova duke shkelur procedurat ligjore, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Aktgjykimi u shpall të martën nga kryetarja e trupit gjykues, Violeta Namani-Hajra dhe anëtarët Medie Bytyqi dhe Leon Përlaska.

Gjykatësja Namani-Hajra tha se Gashi dënohet me 4 vjet e 8 muaj burgim dhe ndaj tij u shqiptua edhe dënimi plotësues- ndalimi i ushtrimit të funksionit në administratë publike për 4 vite, pas mbajtjes së dënimit me burgim.

Në arsyetim të vendimit, gjykatësja tha se në rigjykim shumica e seancave janë mbajtur të mbyllura për shkak të ndjeshmërisë së rastit. Tha se i akuzuari ka tejkaluar kompetencat zyrtare.

I akuzuari obligohet të paguajë shpenzimet e procedurës dhe atë për paushallin gjyqësor shumën 1 mijë euro dhe 100 euro të tjera për Fondin për Kompensimin e Viktimave të Krimit.

Palët e dëmtuara për realizmin e kërkesës pasurore- juridike udhëzohen në kontest të rregullt juridiko-civil.

Related Articles