Çështja e Presidentit, Muhaxheri: Në fund mund të ketë një emër surprizë

Çështja e Presidentit, Muhaxheri: Në fund mund të ketë një emër surprizë

Njohësi i çështjeve politike, Arton Muhaxheri, thotë se kandidatura e Vjosa Osmanit për Presidente nuk është e sigurt, pasi siç thotë ai, raporti mes Osmanit dhe Kurti “nuk duket më aq organik sa në mandatin e kaluar” dhe se “tani ka sinjale se pozicionet janë më të ftohta dhe se brenda shumicës mund të ketë kalkulime të reja”.

Në një prononcim për Gazetën Enigma, Muhaxheri thotë se në fund mund të jetë një emër që do t’i befasojë të gjithë.

“Sa i përket dy kandidatëve të mundshme, nëse shkohet drejt një formule kompromisi, njëri do të ishte logjikisht Osmani, për shkak të pozitës aktuale dhe profilit ndërkombëtar, ndërsa tjetri mund të jetë një figurë më teknike ose konsensuale – dikush me profil institucional, jo domosdoshmërisht partiak, për të ulur tensionin politik. Nuk përjashtohet as skenari që të dalë një emër surprizë në momentin e fundit, si rezultat i pazareve politike”, deklaroi Muhaxheri.

Ai thotë se takimi i Kurtit me liderët e opozitës është një lëvizje e domosdoshme politike, jo luks.

“Pa opozitën, 2/3 nuk arrihen. Por opozita nuk ka interes t’i japë Kurtit një fitore të lehtë politike, sidomos nëse kandidatura perceptohet si e kontrolluar nga ai. Nga ana tjetër, opozita nuk ka dalë me një emër të fortë alternativ që do ta impononte si zgjidhje konsensuale. Kjo tregon se jemi më shumë në fazë testimi force sesa në fazë marrëveshjeje të sinqertë”.

“Osmani, kandidati më i thjeshtë”

Nëse kalkulimi është stabilitet institucional dhe shmangie e zgjedhjeve, Muhaxheri thotë se Osmani është opsioni më i thjeshtë numerikisht.

“Nëse kalkulimi është kontroll më i madh politik dhe ripozicionim i fuqisë brenda kampit qeverisës, atëherë mbështetja nuk është e garantuar. Në fund, kjo nuk është vetëm çështje emri, por çështje balance pushteti. Presidenti në Kosovë nuk është figurë ekzekutive, por ka peshë simbolike dhe rol kyç në raportet ndërkombëtare dhe në momentet e krizës institucionale. Prandaj beteja reale është për ndikim afatgjatë, jo vetëm për një mandat formal”, përfundoi Muhaxheri.

Related Articles