Spiropali në Prishtinë: Kosova është prioritet absolut i politikës së jashtme të Shqipërisë

Spiropali në Prishtinë: Kosova është prioritet absolut i politikës së jashtme të Shqipërisë

Ministrja për Evropë dhe Punët e Jashtme në Shqipëri, Elisa Spiropali në një konferencë për media bashkë me homologun e saj në Kosovë, Glauk Konjufca ka thënë se Kosova është prioritet absolut i politikës së jashtme të Shqipërisë.

Spiroplali tha se kjo nuk është retorikë solidariteti dhe as formulë diplomatike, por është orientim strategjik i qëndrueshëm shtetëror. Krye diplomatja shqiptare tha se Shqipëria do të intensifikojë angazhimin diplomatik për zgjerimin e njohjeve në koordinim të vazhdueshëm së bashku krah për krah por edhe për përparimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

“Ishte një nder i veçantë që në vizitën time të parë si m ta bëj menjëherë pas formimit të qeverisë së re, vizitë që vjen menjëherë pas vizitës së kryeministrit Rama dhe presidentit Begaj. Një shenjë e sigurt se për ne Kosova nuk është një zgjedhje protokolli, është një zgjedhje historie, politike është deklarim i qartë se ku qëndron prioriteti ynë kombëtar. Marrëdhënia mes Shqipërisë dhe Kosovës, nuk është një kapitull i zakonshëm i diplomacisë, ju thatë, është vazhdimësi e një rrugëtimi të përbashkët të skalitur, në sakrificë, qëndresë dhe vendosmëri historike për përparim kombëtare. Viti 1999 ishte momenti kur bota pa padrejtësitë, por pa edhe dinjitetin e një populli që kërkonte të jetonte i lirë. Viti 2008 ishte momenti kur Kosova e ktheu aspiratën në shtetësi dhe fitoi vendin e saj në hartën e botës. Viti 2026 duhet të jetë momenti i konsolidimit të plotë të subjektivitetit të saj ndërkombëtar dhe i mbylljes përfundimtare të çdo paqartësie historike për vendin e saj në Evropë. Ne nuk po ndërtojmë një marrëdhënie nga e para, po forcojmë një bosht kombëtarë, një aleancë të natyrshme mes dy shteteve motër që ndajnë, histori, sakrificë dhe vizion të përbashkët për të ardhmen. Kosova është prioritet absolut i politikës së jashtme të Shqipërisë, por e lidhur shumë ngushtësisht me të gjitha zhvillimet e brendshme në Shqipëri dhe Kosovës. Kjo nuk është retorikë solidariteti dhe as formulë diplomatike është orientim strategjik i qëndrueshëm shtetëror. Forcimi i subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës është interes kombëtar i drejtpërdrejtë i Shqipërisë, përveç se është dëshira jonë e zemrës.  Shqipëria do të intensifikojë angazhimin diplomatik për zgjerimin e njohjeve në koordinim të vazhdueshëm së bashku krah për krah por edhe për përparimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Ne besojmë se Kosova duhet të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE”, tha Spiropali ndër të tjera. 

Related Articles