Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, së bashku me Shoqatën e Invalidëve të Luftës së UÇK-së dhe Shoqatën e Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, kanë iniciuar sot një peticion kombëtar për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Përmes këtij peticioni kërkohet që vendimi për ish-krerët e UÇK-së të bazohet ekskluzivisht në prova dhe fakte të administruara në gjykim.
“Çdo ndikim i drejtpërdrejt apo i tërthortë politik, do ta dëmtonte rëndë kredibilitetin e drejtësisë ndërkombëtare, e cila presim të jetë e paanshme dhe pa standarde të dyfishta”, thuhet në peticion.
“Ky peticion është një thirrje e hapur qytetare në mbështetje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të ish-krerëve të saj që po përballen me procesin në Hagë, në mbrojtje të vlerave të luftës sonë çlirimtare dhe të dinjitetit të saj. Ftojmë të gjithë qytetarët dhe bashkëkombësit kudo që ndodhen që t’i bashkohen këtij peticioni, ta nënshkruajnë dhe ta shpërndajnë atë”, thanë nga organizata.


