Inspektorati Policor i Kosovës ka suspenduar gjashtë policë në Gjakovë, pasi që të njëjtit e kanë arrestuar për kanosje një qytetar që kishte shkuar për ta marrë tiketën për kundërvajtje.
Gazeta Insajderi ka arritur ta sigurojë audioncizimin, në të cilin dëgjohet njëri nga policët duke iu drejtuar qytetarit me fjalët “A e di ti kush jam unë” dhe fillon t’i bërtasë atij.
IPK’ja pas këtij rasti ka vendosur që t’i vendosë në suspendim zyrtarët policorë si në vijim: Albert Kosturi, Gent Nura, Trimor Kepuska, Edion Bajraktari, Artan Maksuti dhe Argjend Hasani.
Gazeta Insajderi ka arritur të sigurojë edhe ankesën e qytetarit të dorëzuar në IPK, ku ndër të tjera qytetari ankohet për gjuhën e përdorur nga polici Albert Kosturi në drejtim të bashkëshortes së tij.
“Gjatë shqiptimit të kësaj tikete unë kam qenë në orar zyrtar të punës dhe në dyqan ka qenë prezent bashkëshortja ime ku gjatë shënimit të gjobës e pyet zyrtar policor (Albert Kusturin) po citoj: “ne mbahemi me këtë dyqan dhe kemi raste që e vendosim veturën për pak minuta derisa ti vendosim dekorimet dhe si me vepru tutje ne” zyrtari policor Albert Kusturu i drejtohet me fjalët citoj: “sem intereson, dilni me rroshlla apo me biciklla” e cila fjalë është në kundërshtim të plotë me kodin etikes për zyrtaret policor”, ka deklaruar ai.
Me të shkuar në stacion policor, qytetari thotë se zyrtari policor Albert Kosturi ka filluar ta ngacmojë duke e goditur me shuplakë në pjesën e barkut.
“Gjatë gjithë kohës para se ti them këto fjalë Albert Kosturi e provokonte situatën duke me goditur në pjesën e barkut, andaj këto fjalë aspak nuk ka qenë kërcënuese për vetë faktin se nuk jam person me të kaluar kriminale”, thuhet ndër të tjera në ankesën e tij.
Përgjatë ditës së djeshme IPK’ja ka njoftuar për suspendimin e zyrtarëve policorë të sipërpërmendur.
“Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht Departamenti i Hetimeve në dy raste të ndara i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin për tetë zyrtarë policorë në Gjakovë dhe Gjilan. Rasti i parë raportohet të ketë ndodhur më 19.02.2026 ku fillimisht një qytetar në Gjakovë është njoftuar për një gjobë për parkim të veturës në vendin ku është e ndaluar. Qytetari kishte shkuar në stacionin policor për të marrë tiketën për kundërvajtje por i njëjti pas kontaktit dhe një bisede me zyrtarët policorë ishte arrestuar si i dyshuar për kanosje”, u bë e ditur në njoftim.
