Pas takimit të sotëm të Kryesisë, Partia Demokratike e Kosovës ka bërë të ditur se mbetet e angazhuar për stabilitetin e shtetit.
Anëtari i PDK-së, Blerand Stavileci, theksoi se gjatë mbledhjes u diskutuan parimet dhe qëndrimet për çështjen e presidentit, por nuk janë shqyrtuar emra konkret.
Ai shtoi se të gjitha strukturat e PDK-së janë të një konsistence të plotë në qëndrimet e tyre dhe se fryma e stabilitetit do të vazhdojë në takimet e ardhshme.
“Po, ne mbajtëm një takim të radhës të Kryesisë së Partisë Demokratike në serinë e takimeve dhe mbledhjeve të përjavshme që i mbajmë, pastaj varësisht nga dinamikat institucionale ndonjëherë i mbajmë edhe më shpesh. E ngjashme ishte edhe kjo e sotme, ku ne diskutuam për tema të shumta në kuadër të aktualitetit dhe zhvillimeve politike në vend dhe njëra prej temave po ashtu ishte edhe ajo e procesit të zgjedhjes së presidentit”.
“Siç e dini, Partia Demokratike, organi i saj më i lartë Kryesia, por po ashtu edhe kryetari i Partisë Demokratike zoti Bedri Hamza, gjatë gjithë kohës kemi qenë me një frymë konsistente për të gjitha temat dhe për të gjitha proceset e vendit tonë të cilat kërkojnë që, ashtu siç ka qenë gjithmonë në krye të detyrës Partia Demokratike, një stabilitet shtetëror, institucional, dhe po ashtu edhe një baraspeshim pushtetesh dhe pozitash. Kemi thënë se për ne gjëja më e rëndësishme është ky stabilitet. Partia Demokratike, ashtu siç është shprehur shumë herë edhe vetë kryetari Bedri Hamza, që ishte po ashtu edhe qëndrim i të gjithë anëtarëve të kryesisë, do të jemi që këto procese të vazhdojnë në këtë mënyrë dhe ne, varësisht prej takimeve që do të ketë gjatë ditëve në vazhdim, gjatë gjithë kohës do ta mbajmë këtë frymë dhe po ashtu do t’i paraqesim edhe qëndrimet tona të cilat janë fryt i disa parimeve për të cilat ne kemi biseduar dhe kemi vendosur edhe sot si Kryesi e Partisë Demokratike”.
“Jo, nuk janë diskutuar, sepse ne kemi biseduar fillimisht për parimet, cili do të jetë qëndrimi. Qëndrim të cilin do ta mbajë kryetari i Partisë Demokratike. Ju e dini që edhe para disa ditësh kryetari jonë i ka shprehur ato qëndrime. Partia Demokratike, jo vetëm kjo strukturë si organi më i lartë Kryesia e partisë, por të gjitha strukturat e tjera, jemi konsistente në qëndrimet tona. Pothuajse të gjithë, unanimisht jemi për atë që ka prezantuar kryetari i partisë sonë, dhe do të vazhdojmë ta mbajmë të njëjtën. Pastaj varësisht prej dinamikave të këtyre ditëve, do të vazhdojmë dhe do të procedojmë prej fazës në fazë”, tha Stavileci.
