Forcat Ajrore Izraelite kanë kryer një valë të re sulmesh ndaj kryeqytetit iranian, Teheranit, sipas Forcave të Mbrojtjes Izraelite (IDF).
“Për herë të parë që nga fillimi i Operacionit ‘Luani që Ulërin’: IDF po godet objektiva që i përkasin regjimit terrorist iranian në zemër të Teheranit”, thuhet në një deklaratë, një ditë pasi sulmet e përbashkëta me SHBA-në vranë udhëheqësin suprem të Iranit.
“Gjatë ditës së kaluar, forcat ajrore izraelite kryen sulme në shkallë të gjerë me qëllim vendosjen e epërsisë ajrore dhe hapjen e rrugës drejt Teheranit”.
Raportet nga Teherani thonë se ka pasur shpërthime në zona të shumta të qytetit të dielën në mëngjes, shkruan CNN,
Imazhet e postuara në mediat sociale supozohet se tregojnë re të mëdha tymi të dendur që ngrihen nga disa pjesë të Teheranit.
Videot dhe imazhet nga Teherani tregojnë disa shpërthime të mëdha në pjesë të ndryshme të qytetit, përfshirë përreth Kullës historike Azadi në Teheranin perëndimor.
Mediat shtetërore iraniane raportuan për shpërthime të shumta në veri dhe perëndim të qytetit.
Gjysmëhëna e Kuqe Iraniane ka konfirmuar sulme ajrore pranë selisë së saj dhe disa spitaleve në Teheran.
Shpërthime u raportuan gjithashtu pranë kompleksit shtetëror të transmetimit të Iranit.
